Kushtetuta e RSH përcakton “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”, se “partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike” dhe se “burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike”.
Ligji mbi partitë politike është i vjetër, jo funksional dhe në kontrast me aktualitetin dhe sfidat e reja të partive politike. Kodi Zgjedhor duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR, GJK, Komisionit të Venecias, GRECO, shoqërisë civile, KQZ, etj. Kuvendi ka krijuar një komision të posaçëm për reformën zgjedhore me mandat 9 mujor, – një komision që duhet të ketë produkt dhe duhet të respektojë parimin e “reformës gjithëpërfshirëse dhe transparente”, siç kërkohet nga Bashkimi Europian.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) është angazhuar në zhvillimin e disa tryezave konsultative me partitë politike, ekspertë dhe shoqërinë civile, me fokus identifikimin dhe adresimin e çështjeve më prioritare për ndërhyrje dhe ofrimin e rekomandimeve konkrete për hartimin e Ligjit për Partitë Politike/Kodit Zgjedhor. Nisma mbështetet financiarisht nga qeveria britanike përmes ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
Disa tryeza konsultuese me aktorët politikë e civilë lokalë u mbajtën gjatë muajve tetor-nëntor në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Korçë, ndërsa sot ISP organizoi tryezën finale të konsultimeve, me pjesëmarrjen e deputetëve nga Komisioni i Posaçëm parlamentar, partive parlamentare, organizatave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve, ekspertëve të medias dhe shoqërisë civile. Produkti vijues do të jetë adresime konkrete me rekomandime në Kuvend (Komision i Posaçëm) dhe draft ligj për ligjin e ri mbi partitë politike.
ISP falënderon deputetët, KQZ, drejtuesit politikë qendrore dhe vendorë të angazhuar në konsultime, partitë parlamentare, ekspertët e fushës, kolegët e shoqërisë civile dhe bashkëpunëtorët, si dhe ekspertët e komunikimit Neritan Sejamini dhe Lutfi Dervishi, të cilët moderuan tryezat zgjedhore.



