Instituti i Studimeve Politike (ISP) mirëpret raportin final të misionit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025. Raporti është realist, profesional, i paanshëm dhe shterues në evidentimin dhe adresimin e disa problematikave kryesore që u shfaqën në këtë proces zgjedhor. Në kushtet e synimit të vendit për anëtarësim në BE raporti nxjerr në pah devijime thelbësore nga standardet e demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.
ISP vlerëson faktin se disa prej gjetjeve dhe rekomandimeve tona prioritare të adresuara në takimet me misionin janë përfshirë në raportin final. Të tjerë elementë e rekomandime, të cilat ndërlidhen me integritetin & standardet zgjedhore, shpresojmë të jenë pjesë e diskutimeve në ecurinë e ardhshme të trajtimit të reformës.
Duke konfirmuar angazhimin tonë aktiv në funksion të trajtimit prioritar të çështjeve që lidhen me standardet e integritetit në partitë politike dhe në proceset zgjedhore ISP apelon:
- Kuvendi të sigurojë një reformë thelbësore në legjislacionin mbi partitë politike, transparencën financiare të partive/fushatave, reformën mbi sistemin zgjedhor, administrimin dhe integritetin e tyre. Komisioni i Posaçëm i Reformës është një mekanizëm, por i pamjaftueshëm për këtë nëse nuk ka vullnet të qartë politik, qasje serioze institucionale, gjithëpërfshirje dhe debat konstruktiv publik.
- Kuvendi të iniciojë një proces analize/llogaridhënie dhe trajtimi të rolit dhe përgjegjësive të secilit institucion që raporton në Kuvend të cituar direkt/indirekt në raportin e OSBE/ODIHR, si një kriter thelbësor për integritetin e institucioneve dhe sistemit tonë përfaqësues.
- Këshilli i Ministrave të analizojë rolin dhe përgjegjësinë e tij të adresuar në raport, si dhe të ofrojë masa konkrete, bazuar në praktikat e mira llogaridhënëse të vendeve të BE-së.
- KQZ, Prokuroria, SPAK, AMA, KMSHC, Policia etj, të trajtojnë dhe adresojnë problematikat e raportit, si dhe të ofrojnë zgjidhje për gjetjet dhe rekomandimet që lidhen me përgjegjësitë e tyre.
Thelbi i demokracisë funksionale janë partitë politike me integritet, demokratike, konkurruese dhe llogaridhënëse.
Shqipëria ka nevojë për reformë thelbësore në bazën ligjore dhe funksionalitetin e partive politike, bazuar në nenin 9 të Kushtetutës së RSH.
ISP


