Aplikimi i votës së diasporës kërkon edhe përfshirjen e diasporës në aktivitetet politike dhe natyrisht nxit edhe interesin e partive politike për të qenë më prezent atje. Fushata zgjedhore e vitit 2025 tregoi se aktivitetet në diasporë morën vëmendje të madhe, interesi për votim ishte i lartë dhe në një qark si Vlora votat e ardhura patën ndikim në ndarjen e mandateve PS vs PD, si dhe në disa qarqe të tjera votat e diasporës bënë dallim edhe në renditjen e kandidatëve në listën e hapur të së njëjtës parti.
De facto vs de juro? Partitë premtojnë të jenë modele të zbatimit të legjislacionit, por në rastin konkret, ligji në fuqi mbi partitë politike përcakton qartësisht kufizimin se veprimtaria e partive politike mund të shtrihet në të gjithë territorin e RSH ose në disa njësi territoriale brenda vendit. Nuk ka asnjë dispozitë që lejon dhe legjitimon aktivitetin jashtë territorit të RSH. Për më tepër, Kodi Zgjedhor, Kodi Penal dhe legjislacioni tjetër plotësues për zgjedhjet nuk i ka objekt hetimi, monitorimi dhe as aktiviteti ngjarjet, fushatat, financimet dhe pasojat e mundshme ligjore që lidhen me aktivitetin e partive politike jashtë territorit të RSH. Edhe në ushtrimin e të drejtës së votës (fshehtësia) KQZ aplikon dy standarde, brenda vendit nuk lejohet cenimi, jashtë vendit është pa kufizim.
Kur ka një problematikë të tillë, referuar edhe praktikave të vendeve të tjera, ka vetëm një zgjidhje, – ligji mbi partitë politike dhe legjislacioni zgjedhor reformohen pastaj partitë respektojnë ligjin. Forma, sipas të cilës ligji i ndalon por partitë janë të lira të shkelin ligjin pa ushtruar të drejtën e përgjegjësinë e tyre për reformimin e ligjit tregon një zhvillim anormal dhe faktin se partitë tona kanë mbipushtet, nuk respektojnë frymën dhe normat e ligjeve dhe se aplikojnë standarde të tjera përballë ligjit nga ajo që u kërkohet qytetarëve. Foto ilustruese është nga vendimmarrja e PS (2026), por e njëjta praktikë konstatohet prej vitesh si nga kjo parti ashtu edhe nga PD, PL (ish LSI), si dhe partitë e reja që konkurruan në zgjedhjet e vitit 2025. Pra, ka një “konsensus” të gjerë në shkeljen e ligjit!
Instituti i Studimeve Politike (ISP) e ka adresuar disa herë këtë çështje, përfshirë edhe në tryezat me partitë kryesore dhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por ende palët nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë ndërkohë që në linjë partie kanë avancuar duke ndryshuar rregullat e tyre të brendshme (të cilat sipas ligjit, duhej të respektonin kuadrin ligjor jo ta tejkalonin atë!!) për t’ia përshtatur nevojave politike dhe elektorale pa pritur kohë që aktiviteti i tyre të jetë në përputhje me ligjin.
Nga ana tjetër, ndryshimi në legjislacion do të duhej të krijonte edhe mekanizma monitorimi të aktivitetit të partive në diasporë, përfshirë burimet e financimit, ndikimet e palëve/shteteve të treta, jetësimin e dekriminalizimit, garantimin e fshehtësisë së votës, hetimet e krimit zgjedhor dhe të konfliktit të interesit, por në aspektin pozitiv edhe respektimin proporcional të peshës së votës së diasporës në vendimmarrjen politike në parti dhe në parlament.
Për shkak të rëndësisë që kanë partitë politike në jetën e vendit, si dhe faktit se vetë mazhoranca qeverisëse është partizane e një praktike të tillë joligjore, rikthimi i aktivitetit të partive politike në shtratin e ligjit është sa detyrim kushtetues e ligjor, si dhe kriter thelbësor nga procesi i bisedimeve me BE-në aq edhe tregues thelbësor i integritetit dhe besueshmërisë së partive politike, dhe produktit të tyre politik, elitës politike në parlament, në qeverisjen qendrore e vendore, në jetën institucionale dhe atë publike.



