Kuvendi i ri? Llogaridhënia, integriteti dhe legjitimiteti? KQZ ka dhënë tashmë mandatet parlamentare, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të dalë brenda pak ditësh. Midis 140 deputetëve, shumica e të cilëve janë zgjedhur deputetë për herë të parë, bëjnë pjesë biznesmenë, anëtarë të familjeve me aktivitet biznesi, si dhe individë që mbajnë funksione të ndryshme fitimprurëse.
✅ Referuar praktikave të njohura nga Gjykata Kushtetuese (rasti Kokëdhima / Beqja, etj), deputetët mund të gjenden në papajtueshmëri mandati parlamentar edhe kur kryejnë aktivitete fitimprurëse ose përfitojnë nga kontratat/fondet publike midis periudhës së zgjedhjes deputet (mandati nga KQZ) dhe betimit në parlament (10-11 shtator 2025).
Pavarësisht se situata postzgjedhore në kushtet e 83+3 mandateve ofron të dhëna shqetësuese për mungesë e plotë vëmendjeje dhe sjellje institucionale ndaj detyrimeve ligjore dhe kushtetuese (përfshirë emërimet ekzekutive të deputetëve pa publikuar dhe zyrtarizuar dorëheqjen e tyre nga parlamenti) apo forma të tjera (përfshirë miratim investimesh me fonde publike), faktet mbeten dhe në momentin që “shteti ligjor” do të funksionojë këto prova mund të sjellin fundin e mandatit të tyre parlamentar dhe përgjegjësi personale ligjore.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka përvojë të gjatë në monitorimin e Kuvendit, Kodit të Sjelljes, Konfliktit të Interesit, Rregullores së Kuvendit dhe ligjit mbi statusin e deputetit. Ky angazhim do të vijojë, ndaj bazuar në këtë përvojë e pritshmëri ISP sugjeron:
❎ Grupet parlamentare, krahas trajnimeve politike për deputetët (leksione nga drejtuesit politikë), duhet detyrimisht përpara shtatorit të kryejnë trajnime nga ekspertë të së drejtës, lidhur me përgjegjësitë ligjore të deputetëve, kufizimet në ushtrimin e mandatit dhe deri në praktikat e Kodit të Sjelljes, të detyrueshme për deputetët. Kjo për më tepër kur nga sondazhet e mëparshme të kryera nga ISP ka rezultuar se më shumë se gjysma e deputetëve nuk kishin dijeni të plotë mbi këto kufizime/detyrime, – në rrethanat e prurjeve të shumta me karrierë jopolitike në parlament, kjo përqindje mund të jetë akoma më e lartë.
❎ Kuvendi duhet të ndryshojë qasjen duke përmbushur përgjegjësitë ligjore në rastet e raportimeve dhe të dhënave nga deputetët e rinj/vjetër për gjendje në papajtueshmëri/konflikt interesi, si dhe të plotësojë database për deputetët, si dhe të forcojë kapacitetet e brendshme trajtuese, informuese dhe asistuese për deputetët/grupet.
❎ KQZ duhet të korrektojë deklarimet dhe formularët e deputetëve që janë publikuar gabimisht, të paplota dhe të pasakta, duke përmbushur me cilësi detyrimin e vet ligjor.



