Dhjetori i vitit 2020 shënon 30 vjetorin e fundin e sistemit komunist dhe vendosjes së sistemit shumëpartiak në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka kaluar në një proces të gjatë dhe kompleks transformimi dhe reformash, në përpjekje të brishta për të ndërtuar sistemin e ri të bazuar në shtetin e së drejtës, ekonominë e tregut të lirë, integrimin euroatlantik dhe demokracinë funksionale. Pavarësisht raportit disproporcionale midis pritshmërive, mundësive dhe arritjeve, Shqipëria e sotme nuk gjen ngjashmëri me Shqipërinë e përpara 1990. Janë dy sisteme të ndryshme, dy shoqëri të ndryshme, dy realitete e botë të ndryshme. Mund të ketë zhgënjime, nostalgji, ruajte të miteve të rreme, përsëritje të gabimeve dhe metodave në mendim e veprim, por gjithsesi vlerat e sotme të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës përbëjnë dallimin e madh.
Me të drejtë analizat kritike të bilancit të tranzicionit e ndërtojnë argumentin kryesor në trashëgiminë negative dhe ndikimeve të së kaluarës në formatimin e sistemit të ri. E kaluara shihet si pengesë jo vetëm në progresin e brishtë të formësimit demokratik të shoqërisë, por edhe në aspektin ekonomik, social, si dhe në mënyrën sesi janë ndërtuar e funksionojnë elitat politike, proceset vendimmarrëse dhe raportet midis individit e pushtetit / shtetit. Një shoqëri që nuk arrin të dialogojë mbi të kaluarën e saj, të përballet me gabimet e veta dhe të ndahet prej saj me drejtësi e integritet, rrezikon të mbetet peng i vetvetes dhe bashkëfajësisë, si dhe ia kufizon vetes vizionin, energjinë dhe kurajën për të ndërtuar një të ardhshme në prosperitet e demokraci funksionale.
Shqipëria nuk e ka bërë ndarjen institucionale me të kaluarën, Shqipëria bashkëjeton me të kaluarën dhe në disa elementë, e përdorë atë në funksion të nevojave të sotme. Në dallim nga shumica e vendeve ish komuniste Shqipëria nuk pati çlirim e prezencë nga një forcë e huaj ushtarake, nuk pati gjatë gjithë periudhës një regjim kukull të emëruar apo mbështetur nga jashtë, siç nuk pati periudha reflektimi, korrektimi, moderacioni apo tolerance ndaj mendimit ndryshe, besimit, lëvizjeve qytetare apo elita që rrezikojnë me kritikën dhe integritetin e tyre. Në funksion të vendosjes dhe më pas të mbijetesës regjimi eksperimentoi me varësinë jugosllave, sovjetike e kineze për të kaluar më pas në një vetizolim hermetik nga Lindja dhe Perëndimi. Shqipëria ishte vendi i vetëm refuzues i procesit të Helsinkit dhe me Kushtetutë, i ndalimit të besimit në Zot. Koncepti i të drejtave të njeriut, i pronës, i lirisë së mendimit, i besimit, i lëvizjes, i dinjitetit qytetar, i korrespodencës apo i të drejtave sociale, i lëvizjes apo i meritës, i zgjedhjes dhe i institucionit në familje, etj, ishin dhe mbetën koncepte të huaja, të ndaluara, armiqësore dhe të ndëshkueshme me ligj. Njësimi i pushteteve në një pikë referimi, zëvendësimi i nocionit të Kushtetutës dhe ligjit me porosinë dhe urdhrin politik të diktatorit apo Byrosë Politike, ndikuan në krijimin e një kulturë nënshtrimi strukturor dhe ideologjik dhe ushqyen sistemin e dhunës dhe të frikësimit. Thënia se Shqipëria ishte një burg i madh dhe brenda saj kishte shumë burgje të tjera apo se edhe muret kanë veshë apo se nuk kemi patur qytetarë por nënshtetas, individë nën shtetin, janë të gjetura për të identifikuara tiparet domethënëse të periudhës 1944-1990.
Në tërësi ligjërimi mbi të kaluarën është ligjërim retorik, i bazuar në vlerësime të përgjithshme, kolektive dhe sipërfaqësore. Ka kujtime personale, dëshmi familjare, raportime të ndryshme në media, rezoluta dhe nisma të shumta parlamentare, institucione të reja dhe data përkujtimore, ceremoni dhe aktivitete memoriale. Memoria dhe trajtimi i të kaluarës ishte i paplotë dhe shpesh i fokusuar vetëm tek konsumi ditor i të dhënave dhe replikave midis aktorëve politikë e mediatikë. Institucionit të memories i mungon libri, studimet, raportet referuese, trajtimi profesional dhe cilësor. Përpjekje pozitive nga ASA/IH, ISKK dhe institucione të tjera, nuk kanë arritur ta plotësojnë boshllëkun e madh në literaturë dhe referim. Për shumicën e studiuesve Shqipëria e periudhës 1945-1990 është një periudhë më shumë e jetuar dhe e komentuar, sesa e studiuar në thellësinë dhe kompleksitetin e saj. Për auditorin e huaj perceptimi dhe informacioni profesional mbi sistemin një partiak në Shqipëri është gjithashtu sipërfaqësor, i ndërtuar si stereotip me vendet e tjera të të njëjtës përvojë. Në dy rastet botimet profesionale mbi periudhën komuniste janë të pakta dhe, edhe si të tillë, nuk kanë arritur ende të mbushin nevojën e madhe të brezave të rinj dhe publikut të interesuar brenda e jashtë Shqipërisë për të pasur një prezantim serioz, të plotë e profesional të të gjithë periudhës në komponentët më të rëndësishëm të saj. Për rrjedhojë, ndonëse të gjithë studiuesit dhe vëzhguesit e jetës politike pranojnë se e kaluara e Shqipërisë në komunizëm ishte rrugë unike, me dallime të mëdha nga vendet e tjera të të njëjtit kamp ideologjik, ajo që ende nuk pranohet është fakti se edhe sjellja e të sotmes ndaj të kaluarës, është gjithashtu unike, me dallime të mëdha nga shumica e vendeve të ish bllokut lindor.
Më qëllim që të kontribuojmë modestisht në këtë drejtim, Instituti i Studimeve Politike (ISP) inicioi përgatitjen dhe publikimin e këtij botimi të dedikuar shtetit dhe shoqërisë gjatë Shqipërisë komuniste. Botimi u koordinua me kolegen Vera Stojarova, pedagoge dhe eksperte e njohur kërkimore e Universitetit Masaryk në Brno, Çeki. Një parathënie e saj është përfshirë në botim, si reflektim i ndjesive personale në raport me Shqipërinë, por edhe i vlerësimit për strukturën dhe prurjet e këtij botimi. Konkluzioni i saj: “Ne kurrë nuk mund ta ritregojmë sa duhet realitetin e regjimeve komuniste. Çdo libër që përshkruan jetën nën këto regjime, që tregon kontrollin total, censurën, paranojën; policinë sekrete, kampet e përqendrimit, kampet e punës, zhvendosjet dhe ekzekutimet; çdo libër që nxjerr në shesh kultet e personalitetit që i fuqizojnë këto regjime: çdo vepër e tillë është një thesar” është mesazhi thelbësor i këtij botimi.
Botimi “Shteti dhe Shoqëria në Shqipërinë komuniste 1945-1990” u realizua me mbështetjen financiare nga programi Transition i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë, në koordinim me ambasadën e RÇ në Tiranë.
http://isp.com.al/wp-content/uploads/2020/11/Libri-Pjesa-prezantuese-permbajtja-hyrja.pdf