Gjykata Kushtetuese e Republikë së Shqipërisë në datën 10.02.2026 njëzëri, vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim është një akt i rëndësishëm lidhur me legjislaturën aktuale, dhe e detyron Kuvendin të rishikojë praktikën dhe të kryejë ndërhyrje përmirësuese në përputhje me parimet dhe detyrimet kushtetuese.
Rregullorja e Kuvendit është një akt i rëndësishëm jo vetëm për deputetët dhe institucionin e Kuvendit, por edhe për jetësimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale në institucionin kryesor politik e përfaqësues në vend, Kuvendin e RSH.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) përgjatë viteve ka monitoruar, analizuar dhe adresuar në Kuvend sugjerime përmirësuese lidhur me Rregulloren, përfshirë edhe lidhur me elementët që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese. Rishikimi i Rregullores është një detyrim institucional, por edhe nevojë, si dhe në kontekstin aktual edhe një sfidë për një parlament i cili duhet të ketë rol qendror në ecurinë e procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Për ISP pritshmëria dhe sugjerimi ishte që rishikimi i Rregullores të përfshijë në paketë edhe rishikime e plotësime të kuadrit rregullator të Kuvendit, përfshirë Kodin e Sjelljes, si dhe harmonizim të akteve me ligje në fuqi ose në proces, siç janë ato për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, legjislacioni mbi lobimin, mbi konsultimin publik, mbi konfliktin e interesit, mbi dekriminalizimin, etj.
Kodi dhe Rregullorja e Kuvendit: https://isp.com.al/wp-content/uploads/2024/01/ISP-Raport-studimor-Kodi-dhe-Rregullorja-Kuvend.pdf
Kodi i Sjelljes dhe praktikat e integritetit https://isp.com.al/wp-content/uploads/2023/10/Broshure-informative-Kodi-i-Sjelljes-praktikat-modelet-dhe-standardet-e-integritetit-parlamentar.pdf
Fatkeqësisht këto sugjerime e pritshmëri nuk janë konsideruar dhe drafti i ri me ndryshime bazohet vetëm në nevojat ditore të aktivitetit parlamentar, pa një vizion e strategji afatgjatë për një parlament më të hapur, më funksional, më të besueshëm dhe më efektiv. Praktikat e gabuara të së kaluarës, kur dispozita evazive dhe procedura të njëanshme janë keqpërdorur për të legjitimuar akte politike në dëm të funksioneve kushtetuese të Kuvendit dhe rolit të tij në sistemin qeverisës, mund të përsëriten. Ndryshimet e reja nuk garantojnë standard të ri të modelit të BE.
Nga analiza e draftit të ndryshimeve të iniciuara në Rregulloren e Kuvendit ekspertët e ISP paraqesin opinionin e mëposhtëm, i cili i është adresuar në rrugë zyrtare edhe Kuvendit.
ISP – Opinion mbi ndryshimet ne rregulloren e Kuvendit 2026



