10 vjet pas miratimit të ligjit 138/2015, i njohur si ligji i dekriminalizimit, ende në politikë, në institucione dhe në jetën publike diskutohet për individë me rekorde kriminale që vijojnë të kenë ambicie dhe akses në vendimmarrje, që ndikojnë në institucione dhe sidomos në partitë politike. Dekriminalizimi në parlament dhe nivele të larta qeverisëse nuk u shoqërua me dekriminalizim te partitë politike, stafet elektorale, nivelet e administratës dhe në sektorë të posaçëm, si ata të sigurisë, drejtësisë, etj. Disa qindra zyrtarë të lartë të penalizuar nga dekriminalizimi, nuk janë vetëm tregues suksesi, por edhe dëshmi e krizës në përfaqësim, në sistemin e meritokracisë, transparencës dhe llogaridhënies.
Kur Shqipëria po avancon bisedimet mbi kapitujt respektivë për anëtarësim në BE pyetjet mbetet: a kemi ende nevojë për proces dekriminalizimi? A solli dekriminalizimi politikë e politikanë të pastër? A kemi institucione më të besueshme, më funksionale dhe më të pastra? A ofroi dekriminalizimi mekanizma efektivë parandalimi dhe a arriti të frenojë hyrjen e krimit në politikë dhe vendimmarrje? A ka nevojë ligji për akte plotësuese dhe shtrirje edhe brenda partive politike? A përbënë kriminalizimi dhe korrupsioni një rrezik serioz premtimin e pa mbajtur ende për demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës? Cili është ndikimi i kulturës politike dhe a mundet që vota qytetare të sjell cilësi në vendimmarrje? A ka kapacitete, vullnet politik dhe qasje reale reflektimi shoqëria e shteti shqiptar për të pastruar politikën, administratën dhe institucionet nga individët me rekorde kriminale apo të deleguar të tyre? Cili është roli i rinisë, i parlamentit, i politikës, i botës akademike dhe shoqërisë civile?
Këto dhe tema të tjera u trajtuan në forumin e hapur të organizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) në Universitetin Europian të Tiranës (UET). Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik në parlament, si dhe ekspertët e studimeve politike Roland Lami, Anjeza Xhaferaj dhe Afrim Krasniqi ofruan qasjen e tyre për pyetjet, duke trajtuar problematikat dhe rekomanduar zgjidhje. Pedagogë dhe studentë të UET kontribuuan gjithashtu në debat.
Aktiviteti ishte pjesë e projektit “Promovimi dhe llogaridhënia e zyrtarëve të zgjedhur 2025-2027”, i cili po realizohet nga ISP me mbështetjen financiare nga National Endowment for Democracy (NED). Përfaqësues të zyrës qendrore të NED në Washington DC, ishin gjithashtu të pranishëm.


