Viti 2025 ishte vit zgjedhor, 50 vjetori i Aktit të Helsinkit dhe 35 vjetori i ngjarjeve të vitit 1990, gjatë të cilave u shënuan numër i lartë i vrasjeve në kufi. Duke qenë vit zgjedhor ishte e pritshme që të gjitha temat politike, përfshirë ajo e memories shtetërore dhe shoqërore, të ishin pjesë e agjendës politike. Nga monitorimi që ISP i ka bërë fushatës elektorale dhe ligjërimit politik dhe publik rezulton se tematika e vrasjeve në kufi, e personave të zhdukur apo e drejtësisë së munguar lidhur me këto vrasje nuk janë përfshirë në tematikën elektorale dhe asnjë subjekt politik nuk ka pasur ndonjë premtim elektoral lidhur me to në programet e tyre.
Vrasjet në kufi të vitit 1990, si dhe vrasjet e tjera të ndodhura në dy vitet e fundit të periudhës komuniste (1988-1991), janë fokus i angazhimit të ISP. Pjesë e këtij angazhimi është edhe monitorimi i sjelljes institucionale dhe ligjërimi politik e publik. Parimet e Helsinkit, ku bën pjesë edhe mbrojtja e jetës dhe parimi i lëvizjes së lirë, u injoruan tërësisht në regjimin e kaluar, ndërkohë që nuk iu kushtua rëndësi në trajtimin retrospektiv të tyre në këtë 50 vjetor as në mediat apo ligjërimin publik shqiptar.
Në këtë raport në fokus janë reagimet dhe përfshirja e institucioneve shtetërore, partive politike, mediave kombëtare dhe lokale në përkujtimin dhe trajtimin e çështjes së vrasjeve në kufi. Në listën e institucioneve bëjnë pjesë Kuvendi dhe qeveria, institucionet e drejtësisë dhe ato që merren me të drejtat e njeriut, bashkitë dhe këshillat bashkiakë, etj. Në listën e mediave kryesore bëjnë pjesë media televizive dhe ajo e shkruar, si dhe mediat sociale dhe lokale, të identifikueshme vetëm përmes rrjeteve sociale, kryesisht facebook dhe linkedin.
Një staf teknik i ISP u angazhua për të monitoruar të gjitha institucionet dhe median, duke krijuar database me të dhëna që lidhen me memorien dhe duke mbajtur shënim ato të dhëna që lidhen specifikisht me çështjen e personave të vrasje ose zhdukur gjatë viteve 1988-1991 në Shqipëri.
Konkluzione?
Vrasjet në kufi gjatë viteve 1988–1991 përbëjnë një formë dhune shtetërore dhe një rast tipik ku përfshihet e gjithë struktura shtetërore. Në dallim nga tranzicioni, nuk kemi të bëjmë me humbje jete që vijnë nga emigracioni i parregullt klandestin, por nga ekzekutimi zyrtar, vendimmarrja zyrtare dhe vlerësimi zyrtar. Duke qenë të tilla vrasjet në kufi përbëjnë prova konkrete, evidenca dhe raste që meritojnë hetime shteruese, zbardhje të së vërtetës, gjetje të viktimave të varrosura pa dijeninë e familjes dhe trajtimi i tyre rehabilitues në demokraci, si një krim me burim shtetin dhe një shtet i së drejtës që reflekton, kërkon ndjesë dhe inicion drejtësi tranzicionale.
- Shqipëria ka dështuar të ndërtojë dhe zbatojë një narrativë shtetërore dhe institucionale të memories për qytetarët e vrarë në kufij, si dhe gjatë vitit 2025 Shqipëria nuk bëri përpjekje serioze ta trajtojë këtë problematikë në strategjitë sektoriale, agjendën ekzekutive, në fushatë elektorale dhe as në nismat reformuese në kuadër të shtetit të së drejtës dhe anëtarësimit në BE.
- Monitorimi nga ISP tregoi se çështja e vrasjes së kufi nuk është ende prioritet institucional dhe politik dhe se institucionet nuk e konsiderojnë ende atë pjesë të planit afatshkurtër të veprimit dhe as të përgjegjësisë direkte morale e juridike. Kjo ndodh kryesisht edhe prej pafuqisë së tematikës për imponim. Në leximin elektoral do të thotë se trajtimi i kësaj çështjeje nuk sjell vota, pra nuk përbën një temë me përfshirje masive të votuesve të mundshëm, dhe pa këtë potencial votash nuk përbën një tematikë me interes strategjik elektoral apo qeverisës.
- Monitorimi tregoi se media gjithashtu nuk e ka prioritet çështjen e memories ndaj të kaluarës dhe as trajtimin e të vrarëve në kufi, dhe se ajo kryesisht mbajtohet me riprodhimin e lajmeve përkatëse që vijnë nga politika dhe retorikën e saj. Mungesa e ekspertizës në media shoqërohet me mungesën e njohurive praktike për tematikën nga ana e gazetarëve dhe reporterëve të cilët transmetojnë përpara lexuesit/dëgjuesit vetëm atë që ofrojnë politikët dhe institucionet politike.
- Kuvendi, deputetët dhe media, si dhe vetë strukturat që mbulojnë programet dhe të drejtat e njeriut në partitë politike parlamentare, do të duhet të marrin më shumë informacion cilësor, të trajnohen dhe të informohen rregullisht mbi këtë tematikë dhe praktikat e mira të trajtimit të saj në vende ish-komuniste anëtare në BE. Deklarata publike e kryetares së Kom. Edukimit në Kuvend me 27.07.2025 përbën rastin e parë dhe këtë vit, të vetmin, kur një zyrtar i lartë ngre dhe adreson tematikën e personave të vrarë në kufi, dhe mungesën e qasjes institucionale rreth memories historike.
- Institucionet që trajtojnë të drejtat e njeriut dhe memorien historike, që kanë në fokus kërkimin dhe hulumtimin profesional, arkivat dhe të dhënat dokumentare, rastet e munguara të së dhënies së drejtës dhe deformimet e kësaj të drejte në periudhën e fundit të sistemit komunist, si dhe që shfaqen si zëdhënëse të qytetarëve dhe interesit publik duhet të bëjnë shumë më tepër për të justifikuar misionin e tyre dhe për të ndihmuar në jetësimin e drejtësisë tranzicionale, dekomunistizimit dhe forcimin e shtetit të së drejtës përmes reflektimit, dialogut të hapur drejtësisë funksionale dhe besimit te vlerat demokratike.
- Mungesa e vëmendjes institucionale, mediatike dhe politike në përvjetorin e 35-të të këtyre ngjarjeve është tregues i neglizhencës kolektive që rrezikon përpjekjet për drejtësi dhe ballafaqim me të kaluarën.
Ekipi monitorues i ISP ka bindjen se vetëm përmes angazhimit të shtuar të institucioneve shtetërore, mediave dhe faktorit politik, rolit aktiv civil dhe potencialit reagues, mund të shpresohet që krimet e së kaluarës të mos mbeten të pandëshkuara, që shoqëria të reflektojë dhe të nxjerr mësime nga e kaluara, për të krijuar një vizion dhe vullnet më të qartë lidhur me drejtësinë transitore, të drejtat e njeriut dhe vlerat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ky raport monitorues është realizuar në kuadër të projektit “Mbi viktimat e kufirit: Informim e sensibilizim për viktimat e vrasjeve dhe zhdukjeve gjatë arratisjeve në kufij gjatë viteve 1988-1991”, i cili po mundësohet nga International Commission on Missing Persons, ICMP përmes grantit të financiar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri. Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e ISP-së.
Raporti i plotë monitorues mund të lexohet këtu:
Monitorimi i ligjërimit publik 2025 për memorien dhe vrasjet ne kufi (1988-1991)


