Kuvendi i Shqipërisë iu bashkua zyrtarisht Deklaratës së angazhimit mbi zbatimin e Standardeve të Transparencës, të iniciuar nga shoqëria civile, media dhe aktorë të tretë monitorues.
Deklarata e angazhimit bazohet në:
• Metodologjinë e Partneritetit për Qeverisje të Hapur;
• Parimet e “Open Parliament” dhe të nismës për E-Parliament;
• Indikatorë të përcaktuar nga Unioni Ndërparlamentar.
Përmes kësaj deklarate Kuvendi angazhohet:
• Të zbatojë standardet më të larta të transparencës;
• Të zgjerojë aksesin e qytetarëve dhe medias në aktivitetin e tij;
• Të rrisë llogaridhënien dhe standardet e një parlamenti të hapur.
Angazhimi institucional është pozitiv, por jetësimi i praktikave të mira dhe parimeve të deklaratës kërkojnë edhe zbatimin praktik të tyre.
Lidhur me deklaratën, nga përvoja monitoruese ISP rekomandon që Kuvendi:
• Të rishikojë legjislacionin e brendshëm (Rregulloren dhe Kodin e Sjelljes) për të njësuar standardet që lidhen me parlamentin e hapur;
• Të nxisë mekanizma vlerësimi periodik të brendshëm të objektivave të deklaratës;
• Të reformojë Planin për Parlament të Hapur dhe Planin Strategjik të tij,
• Të forcojë Sekretariatet dhe strukturat përgjegjëse lidhur me Kodin e Sjelljes;
• Të krijojë akses ndërveprues me shoqërinë civile dhe sistemin e konsultimit publik.
Shqipëria meriton një parlament me integritet, transparent dhe llogaridhënës!
Kjo video është realizuar në kuadër të projektit “Një parlament me integritet: Kodi i Sjelljes, Transparenca dhe Llogaridhënia”, i cili po zbatohet nga ISP me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të ISP-së dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.