Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje parlamentare në pranverën e vitit 2025. Në funksion të tyre në korrik 2024, në vijim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi i RSH miratoi ndryshime të rëndësishme në formulën e aplikimit të sistemit zgjedhor dhe përfshirjen e diasporës. Reforma zgjedhore është ende në proces në sesionin vijues parlamentar, ndërsa reformimi i legjislacionit mbi partitë politike ende nuk ka nisur. Bazuar në të dhënat e INSTAT (2024) në Shqipëri ka 149.866 qytetarë PAK, nga të cilët, mbi 99 mijë kanë probleme me ecjen, mbi 38 mijë me dëgjimin, mbi 52 mijë me shikimin. Disa mijëra qytetarë të tjerë janë në trajtim spitalor apo familjar shendetësor gjatë periudhës zgjedhore, përfshirë ditën e zgjedhjeve.
Sistemi ynë i administrimit zgjedhor ende nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike dhe ligjore për të mundësuar pjesëmarrjen aktive në votime të të gjithë shtetasve të kategorive të mësipërme. Në kushtet kur mundësia për pjesëmarrje në votim është zgjedhuar me diasporën është paradoksale pamundësimi i votës për shtetasit brenda vendit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare KQZ informoi se mbi 20 mijë zgjedhës u privuan nga vota për shkak të pamundësisë për të levizur nga banesa. Duke e zgjeruar listën e zgjedhësve PAK me kategori të tjera, si të sëmurët në spitale ditën e votimit, etj, numri i qytetarëve që privohen nga pjesëmarrja në zgjedhje është shumë e lartë (midis 30 dhe 40 mijë).
Jetësimi i pjesëmarrjes së personave PAK në zgjedhje dhe kategorive të tjera, është e drejtë kushtetuese, garantohet parimisht nga Kodi Zgjedhor, por është penguar nga problematikat në infrastrukturën zgjedhore dhe sistemi zgjedhor. Në raportin e ODIHR (2023) u rekomandua nevoja për sigurimin e aksesueshmërinë në qendrat e votimit për personat me aftësi të kufizuara, përmirësimi i aksesit të tyre të pavarur në procesin zgjedhor, si dhe përshtatjes së programeve informuese me nevojat e zgjedhësve me aftësi të kufizuara.
Kuvendi i RSH ende nuk e ka përmbyllur reformën zgjedhore dhe nuk ka trajtuar rekomandimet e ODIHR, si dhe rekomandime të tjera më të detahuara të ardhura nga shoqëria civile apo KQZ. Sesioni aktual përbën mundësinë e fundit për adresimin e rekomandimeve, përfshirë problematikat e pjesëmarrës dhe përfaqësimit të PAK.
Nga ana tjetër, në rreth 500 zyrtarë të lartë të zgjedhur ose emëruar (ministra, deputetë, President, kryetarë bashkie, drejtues të institucioineve kushtetuese dhe të pavarura, etj, asnjë prej tyre nuk i përket kategorisë PAK. Përfaqësimi i munguar në politikë dhe vendimmarrje reflektohet edhe tek strukturat drejtuese të partive politike, si burimi kryesor i karrierës politike. Asnjë prej partive parlamentare nuk ka persona PAK në strukturat e tyre. Ekspertët e ISP kanë analizuar programet politike të partive dhe qasjen e tyre ndaj problematikave shqetësuese të ngritura nga PAK, duke ofruar rekomandime konkrete.
Thelbi i trajtimit të standardeve të përfaqësimit dhe përfshirjes së personave me nevoja të vecanta në zgjedhje dhe në jetën politike ka të bëjë me sfidën kryesore të Shqipërisë, – jetësimin e demokracisë pjesëmarrëse, funksionale dhe cilësorë, si dhe jetësimin e shtetit të së drejtës. Ato kanë rol edhe në nivelin e progresit të vendit në drejtim të bisedimeve për anëtarësim në BE.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) në bashkëpunim me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe Komitetin e Helsinkit (KSHH) është duke zbatuar projektin “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë. ISP me ASP është angazhuar përmes të njëjtit donator edhe në promovimin e debatit mbi reformën zgjedhore dhe problematikat e lidhura me të.
Në kuadër të këtij angazhimi, dokumenti i punës i hartuar nga eksperti i Institutit të Studimeve Politike (ISP) Prof. Roland Lami ka trajtuar në mënyrë të detajuar gjendjen aktuale dhe problematikat, modelet e ndjekura në vendet rajonale (Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, si dhe në vendet e Bashkimit Europian), si dhe ka adresuar rekomandime afatshkurtra (për zgjedhjet 2025) dhe afatgjata (lidhur me përfaqësimin në jetën politike).
ISP beson se dokumenti do të nxisë debat kontruktiv midis aktorëve politikë dhe institucionalë, për të shfrytëzuar kohën në dispozicion për adresimin e rekomandimeve dhe zgjidhjen optimale të tyre. Tryeza e inicuar me 9 tetor i shërbeu këtij qëllimi dhe është në përputhje edhe me rolin e shoqërisë civile në shtyrjen përpara të prioriteteve të vendit dhe të procesit të arritjes së standardeve të integrimit.
Dokumenti i plotë në shqip mund të lexohet/shkarkohet këtu:
ISP – Perfaqesimi i PAK në zgjedhje dhe në jetën politike (Cluster One)
Përmbledhje në anglisht mund të lexohet/shkarkohet këtu:
ISP – Summary information – Working documents PAK-09-10-2024