Instituti i Studimeve Politike (ISP) në bashkëpunim me partnerë po zbaton projektin “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike” i mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë. Pjesë e projektit është monitorimi dhe raportimi i ecurisë së procesit të dekriminalizimit dhe jetësimi i standardeve të integritetit nga partitë politike.
Raporti trajton procesin dhe ndikimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, një nismë e thellë dhe e mbështetur nga faktori ndërkombëtar për të luftuar korrupsionin, përmirësuar sistemin e drejtësisë dhe çuar vendin drejt një demokracie funksionale. Përmes një qasjeje analitike, raporti identifikon sfidat kryesore të hasura gjatë procesit, vlerëson ndikimin e aktiviteteve të ndërmarra dhe ofron sugjerime për përmirësime të mëtejshme bazuar në mësimet e nxjerra.
Gjetje kryesore
- SPAK ka proceduar 1809 çështje penale që përfshijnë 2496 persona, nga të cilët 1380 janë dërguar për gjykim dhe 182 milion euro të gjeneruara nga veprimtari korruptive apo kriminale janë vendosur nën sekuestro. Nga këto subjekte, 61 janë zyrtarë të nivelit të lartë dhe 70% e tyre janë dërguar për gjykim. Paralelisht me reformën në drejtësi, SHBA kanë sanksionuar 6 zyrtarë të lartë dhe individë me rekorde kriminale për përfshirje në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
- Goditja e politikanëve të nivelit të lartë po minon kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Për rrjedhim klasës politike Shqiptare po i imponohen standardet e integritetit dhe llogaridhënies. Për më tepër, reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit ka minuar lidhjen malinje mes politikës dhe drejtësisë duke restauruar sadopak parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve.
- Aktet e organeve të reja të drejtësisë kundër korrupsionit po shkëpusin lidhjet klienteliste, partizane dhe klanore të politikës me krimin e organizuar. Procedimi nga SPAK dhe sanksionet ndërkombëtare kanë minuar pozitën politike të disa ish-zyrtarëve apo zyrtarëve të lartë në Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Shkodër. Largimi i këtyre individëve nga skena politike ka krijuar kushte më të favorshme për një proces zgjedhor me standarde më demokratike dhe kandidatë me integritet. Megjithatë, ekziston rreziku që lidhjet informale mes politikës, korrupsionit dhe krimit të influencojnë zgjedhjet parlamentare 2025.
- Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të mazhorancës janë proceduar dhe dënuar nga organet e reja të drejtësisë. Ndërsa PS nuk është angazhuar në një luftë të hapur me sistemin e drejtësisë, ajo ka ndërmarrë disa hapa konkretë siç është ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar për të ngushtuar hapësirën e veprimit të SPAK. Ndërsa mazhoranca ka larguar nga pozitat politike kyçe disa nga zyrtarët e saj të lartë të proceduar apo dyshuar për korrupsion, ajo do të vijojë të përdorë burimet shtetërore dhe lidhjet informale për të siguruar avantazh elektoral në zgjedhje.
- Dy udhëheqësit e opozitës parlamentare, ish-kryeministri Berisha dhe ish-presidenti Meta janë proceduar penalisht nga organet e reja të drejtësisë. Kjo e ka futur opozitën në një kurs përplasjesh të hapura me SPAK dhe faktorin ndërkombëtar që ka mbështetur reformën. Sulmet e opozitës ndaj drejtësisë dhe përplasja me faktorin perëndimor në Tiranë mund të margjinalizojë pozitën e PD dhe PL në zgjedhjet parlamentare. Vendosmëria për të shkuar në zgjedhje me drejtues politik nën sanksione dhe nën masa penale rrezikon të ngushtojë hapësirën operacionale të opozitës në fushatë dhe aftësinë e saj për të mobilizuar votues të paangazhuar apo të zhgënjyer me progresin anemik të Shqipërisë drejt demokracisë funksionale.
- Partitë e reja politike mund të përfitojnë rrëzimin e politikanëve tradicionalë nga skena politike duke mobilizuar votues të paangazhuar dhe nga diaspora shqiptare. Gjithsesi, përfaqësimi i tyre politik do të pengohet nga faktorë strukturorë si: mungesa e burimeve financiare, bazës së gjerë të mbështetjes me anëtarësi të rregullt, sistemi elektoral dhe retorika e fortë e klasës ekzistuese politike.
Konkluzione
- Reforma në drejtësi nuk ka qenë perfekte. Si çdo reformë radikale ajo ka krijuar efektet e veta anësore. Por lufta e organeve të reja të drejtësisë në nivele të larta politike po minon kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe po shkëput marrëdhënien malinje mes politikës dhe drejtësisë. Për herë të parë zyrtarët më të lartë të shtetit janë proceduar për korrupsion nga drejtësia duke restauruar parimin e llogaridhënies, kontrollit dhe balancimit të pushteteve. Kjo krijon kushtet që Shqipëria të vendoset në shina demokratike, të pastrojë politikën dhe jetën publike nga individët me rekorde korruptive dhe kriminale, dhe të garantojë siguri juridike për qytetarët.
- Aktet konkrete të SPAK kundër korrupsionit në nivele të larta politike kanë gjasa të sjellin pasoja në zgjedhjet parlamentare të 2025. Të gjendur nën presionin e drejtësisë dhe faktorit ndërkombëtar, partitë politike do të shmangin promovimin e kandidatëve me probleme me ligjin dhe të dyshuar si të përfshirë në korrupsion. Kjo do të garantojë lista zgjedhore më të pastra. Për më tepër, goditja e zyrtarëve të lartë nga SPAK prish lidhjet nepotike dhe klienteliste mes politikës dhe krimit të organizuar. Sanksionimi i zyrtarëve të lartë nga SHBA dhe Britania e Madhe ka minuar pozitat politike të disa ish-zyrtarëve të lartë si në Durrës, Shkodër dhe Tiranë. Procedimi penal ndaj politikanëve të lartë që kanë dominuar jetën institucionale të Shqipërisë në këto dekada ka krijuar kushtet që forcat dhe rryma të reja politike të ndryshojnë konstelacionin politik në Shqipëri.
- Megjithatë, listat e kandidatëve për deputet me shumë mundësi do të jenë formale, sepse lidhjet klienteliste dhe informale me individë me rekorde korruptive dhe kriminale me peshë elektorale do të vijojnë të ndikojnë në procesin zgjedhor. Përpjekjet për të ngushtuar hapësirën e veprimit të organeve të reja të drejtësisë dhe sulmet ndaj SPAK do të polarizojnë edhe më shume opinionin publik dhe minojnë besimin e shqiptarëve tek drejtësia e re.
- Përfshirja e një pjese të rëndësishme të klasës politike tradicionale në një kurs përplasjes me faktorin perëndimor rrezikon të rrisë qasje publike kundër normave demokratike evropiane. Mungesa e garancive juridike dhe sulmet intimiduese ndaj organeve të reja të drejtësisë mund të dobësojnë forcën e saj vepruese në të ardhmen. Për shkak se reforma në drejtësi nuk është i produkt organik i elitës politike dhe juridike shqiptare, mbështetja e faktorit ndërkombëtar do të jetë përcaktuese për suksesin dhe qëndrueshmërinë e reformës në një kohë afatgjatë.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu:
ISP raport – SPAK dhe zgjedhjet ne Shqiperi
Ky raport realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike” të mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë. Projekti zbatohet në një koncorsium i drejtuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ). Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Informacioni dhe pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionin zyrtar të financuesve të tij apo Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.