Partitë politike në Shqipëri ende nuk kanë një regjistër të saktë anëtarësie dhe një sistem të brendshëm votimi e monitorimi efektiv dhe të besueshëm. Nga monitorimi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) mbi aktet e brendshme rregullatore në partitë politike, rezulton se parimi i përfaqësimit në partitë politike (përfaqësimi në vendimmarrje në politikë në proporcionalitet me përfaqësimin në vendimmarrje brenda partive) nuk njihet dhe as nuk respektohet. Sipas këtij parimi, degët lokale kanë peshë vendimmarrëse në proceset e brendshme zgjedhore në parti aq sa kanë peshë vendimmarrëse në zgjedhjet parlamentare në nivel kombëtar. Pra, degët me numrin më të madh të deputetëve në nivel kombëtar kanë edhe peshën kryesore në vendimmarrjet në partitë politike dhe anasjelltas, degët lokale me rol minor në politikën kombëtare nuk mund të ketë më shumë peshë dhe përfaqësim në partitë politike sesa degë të mëdha lokale me rol thelbësor dhe përcaktues në nivel politik kombëtar. Praktika shqiptare? Ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP) analizuan të dhënat zyrtare të zgjedhjeve të 22 mjait 2022 në PD krahasuar me zgjedhjet parlamentare të prillit 2021.
Në analizën statistikore të të dhënave të ofruara nga grupi në PD që zhvilloi zgjedhje për kryetar (Berisha vs Elezi), duke i marrë apriori të mirëqena të dhënat e shpallura zyrtarisht nga komisioni i votimit, rezultojnë diferenca të mëdha midis peshës kombëtare dhe peshës në parti të degëve lokale. Konkretisht, bashkia Korçë ka 665 votues / anëtarë në PD, ndërkohë që dy bashkitë më të vogla të qarkut Korçë, Maliqi (zonë tradicionalisht e majtë) dhe Devolli (zonë me pritje të djathta) kanë përfaqësim shumëfish më të lartë, Maliqi 1266 anëtarë dhe Devolli 1255 anëtarë! Po ashtu, bashkia Gjirokastër, e cila bën pjesë në një qark me 7 bashki dhe ka prodhuar vetëm një deputet për PD në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, rezulton se më 22 maj 2022 ka pasur më shumë votues (1049) sesa Korça (665), Vlora (890), Dibra (754), Lushnja (815) apo Lezha (906). Ashtu si dy rastet e mësipërme, rast tjetër flagrant është niveli i lartë i përfaqësimit në zgjedhjet e brendshme në PD i qarkut Kukës, qark ku PD ka 2 deputetë, ndërkohë që rezulton të ketë 2628 anëtarë votues, ose rreth 200% më shumë përfaqësim në zgjedhjet brenda PD sesa përfaqësimi dhe pesha politike që realisht ka në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Tropoja ka 916 anëtarë me të drejtë vote, pra 10 më shumë se Lezha dhe 26 më shumë se Vlora, dy degë me peshë shumë më të madhe në zgjedhjet politike në Shqipëri. Kukësi ka 882 anëtarë, 24 më shumë sesa Kavaja dhe 130-220 më shumë sesa Dibra dhe Korça, qytete me peshë shumë më të madhe politike sesa Kukësi në zgjedhjet parlamentare. Madje edhe dega Has, rezulton të ketë peshë në zgjedhjet e brendshme në PD shumë më tepër sesa Lushnja, Dibra, Korça, Berat, Kruja, Saranda, Mirdita, etj, megjithëse këto të fundit kanë peshë shumëfish më të madhe në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Në renditjen e qarqeve me numrin më të madh të mandateve për opozitën në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, Tirana ndiqet nga qarqet Fier, Durrës dhe Elbasan (me nga 6 mandate) dhe në fund, Kukësi e Berati me nga 2 mandate dhe Gjirokastra me 1 mandat. Ndërkohë, referuar të dhënave të votimit nga anëtarësia më 22 maj 2022, rezulton se renditja ndryshon rrënjësisht: Korça e Shkodra kanë më shumë peshë sesa Durrësi e Elbasani, Kukësi me 2 deputetë ka më shumë peshë sesa Lezha e Vlora që kanë nga 4 deputetë, Berati me 2 deputetë është në fund të renditjes për nga numri i anëtarëve në PD, duke u renditur pas Gjirokastrës që fitoi 1 deputet më 2021. Në raport statistikor, PD me 59 deputetë duhej të kishte 740 anëtarë partie për një deputet, por nga tabela krahasuese e zgjedhjeve të 22 majit 2022, rezulton se vetëm Shkodra, Berati dhe Dibra kanë rezultat të përafërt me mesataren e duhur kombëtare, ndërkohë që ka mbi-përfaqësim në parti Kukësi (mesatare 1148 anëtarë për 1 deputet), Gjirokastra (917 anëtarë për 1 deputet), apo Tirana e Korça, ndërkohë që disa qarqe kanë përfaqësim në raport shumë më të ulët sesa raporti kombëtar 740/1MP, ku kryesues është Elbasani (1389 vs 740), Durrësi (1193 vs 740) dhe Vlora (1020 vs 740).
Më 2020 partitë premtuan se do të zhvillojnë reformë për legjislacionin zgjedhor me qëllim që të krijojnë akte rregullatore për funksionimin dhe vendimmarrjen, transparencën dhe llogaridhënien brenda partive politike dhe në raportet e tyre me shtetin, qytetarët dhe shoqërinë. Dy vite më pas nuk ka ende asnjë akt konkret në këtë drejtim. Reformimi i legjislacionit mbi partitë politike është një prej kritereve në procesin e integrimit (kapitulli 23/24) dhe një prej prioriteteve politike që duhet të përmbushë Shqipëria. Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar proceset e zhvillimeve brenda partive politike, aktet e brendshme rregullatore, vendimmarrjet dhe rolin e qëndrimet e institucioneve lidhur me reformën zgjedhore dhe reformën në sistemin përfaqësues politik në vend.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)