Instituti i Studimeve Politike (ISP) po zbaton projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Pjesë e projektit është monitorimi dhe raportimi për të dhënat e dekriminalizimit dhe integritetit në 12 qarqe, duke u bazuar në institucionet e nivelit vendor. Ky është raporti i dytë përmbledhës i raporteve për 12 qarqet për periudhën shtator 2022-shtator 2023. Të dhënat janë realizuar nga stafi monitorues dhe janë ballafaquar me të dhënat e mbledhura nga komunikimi zyrtar me institucionet, nga raportimet në media dhe nga raportimet e institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri.
Monitorimi nuk lidhet vetëm me institucionet vendore, “bashkia”, “qarku”, “këshilli bashkiak”, por në konceptin e 12 qarqeve përfshihen qeverisja qendrore, qeverisja vendore, administrata publike dhe ajo civile, institucionet e drejtësisë dhe të policisë, institucionet e tjera të pavarura dhe ato vertikale, institucionet akademike dhe arsimore, etj. Raporti ka evidentuar të dhënat më të rëndësishme sipas qarqeve, duke e konsideruar të rëndësishëm trendin dhe natyrën e gjetjeve, dhe jo të gjitha detajet e mundshme që lidhen me fushëveprimin e një numri të madh institucionesh dhe individësh që i përbëjnë ose i përfaqësojnë ose i drejtojnë ato.
Raporti është hartuar në katër kategori kryesore: të zgjedhurit vendorë (për shkak se në maj 2023 u bënë zgjedhje vendore dhe gjatë vitit të fundit zgjedhjet kanë qenë tema kryesore e debatit politik), vetingu dhe integriteti në drejtësi, integriteti në polici dhe në administratën publike, si dhe bilanci antikorrupsion i SPAK, – organi kryesor që mundëson hetime për zyrtarët e lartë të zgjedhur dhe të emëruar.
Të dhënat dhe rekomandimet do t’u adresohen institucioneve, partnerëve dhe publikut, me qëllim forcimin e kulturës së reagimit ndaj devijimit nga standardet e mira të integritetit dhe të dekriminalizimit, si dhe zgjerimit të bashkëpunimit për një politikë të pastër dhe për zyrtarë me integritet.
GJETJET KRYESORE
I. Viti 2023 shënon vitin e parë kur drejtues të rëndësishëm politikë, përfshirë ish-ministra, ish-deputetë, ish-kryetarë bashkie, të njohur për ndikim të madh në jetën publike, janë nën masë sigurie ose arrest burgu për akuza të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Për herë të parë një ish-zv/kryeministër, i cili është edhe deputet, është nën akuzë për korrupsion dhe kërkim ndërkombëtar. Premtimi i drejtësisë për dhënie fund të pandëshkueshmërisë ka filluar të zbatohet, ndonëse ende me ritme shumë më të ngadalta, sesa pritshmëria dhe deklaratat e periudhës fillestare të reformës në drejtësi.
II. Një ministre / deputete është në agjendën parlamentare për shqyrtim të mandatit të saj, e akuzuar për abuzim me pushtetin dhe papajtueshmëri me mandatin, për shkak të vendimit të qeverisë ku ajo bënte pjesë, për dhënien e statusit të investitorit strategjik bashkëshortit të saj.
III. Aktualisht së paku katër kryetarë bashkie (ish-kryetarë bashkie) janë në arrest për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, numri më i lartë i kryetarëve të bashkive nën hetim dhe masë ligjore prej shumë vitesh. Disa prej tyre kanë qenë protagonistë në zhvillimet politike në vend, si ish-kryebashkiaku i Durrësit.
IV. Dy sekretarë të përgjithshëm në ministri dhe më shumë se 10 zyrtarë të lartë janë gjithashtu nën hetim ose të akuzuar dhe të kaluar për gjykim nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Duke qenë zyrtarët më të rëndësishëm të shërbimit civil, ky është një tregues pozitiv për luftën ndaj korrupsionit, por edhe tregues i nivelit të lartë të korrupsionit dhe gjendjes kritike të integritetit në administratën e lartë.
V. Disa gjyqtarë dhe prokurorë, përfshirë ish-prokurori i përgjithshëm dhe dy anëtarë të Gjykatës së Lartë janë nën hetim dhe akuze zyrtare për abuzim me pushtetin, burime financiare të pajustifikueshme dhe elementë të tjerë penalë. Këto janë rastet e para të hetimeve dhe dënimeve në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që rreth 10 subjekte të tjera në nivele të ulta janë gjithashtu përballë kolegëve të tyre nën hetim ose në burgim për të njëjtat akuza.
VI. Disa drejtues të lartë të policisë së shtetit, përfshirë oficerë të lartë drejtues në disa qytete, sidomos në Shkodër, janë arrestuar për lidhje me krimin e organizuar dhe aktivitete kriminale, pozita dhe akuza më e lartë për raste të tilla prej së paku disa vitesh, pas dënimit të ish-ministrit të brendshëm. Reformat e premtuara për spastrimin e policisë nga elementët e inkriminuar, nuk kanë dhënë rezultat dhe politikat e promovimit dhe emërimeve nuk bazohen në një sistem meritokracie, integriteti dhe transparence.
VII. Të dhëna kritike për një numër të madh zyrtarësh në nivelet e bashkive, qarqeve, njësive vendore dhe drejtorive rajonale, sidomos zyrtarë në fushën e administrimit të territorit, të taksave, të urbanistikës, të arsimit dhe të shëndetësisë, të pyjeve dhe të fushave të shërbimit publik, janë nën hetim ose duke vuajtur dënime për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Zbulimi i tyre dhe vënia përballë drejtësisë është lajm i mirë, sistemi i emërimit dhe promovimit të tyre dhe mekanizmi i standardeve të integritetit që duhet të monitorojë zyrtarët e lartë në sektorin publik tregojnë se janë ende të brishta dhe problematikë. Rastet e zyrtarëve të bashkive të përfshira në skandale financiare si ai i incerenatorëve është tregues tjetër kritik.
VIII. Dekriminalizimi ka funksionuar, SPAK ka shënuar disa arritje, institucionet ndjehen nën presion përballë drejtësisë dhe premtimit të saj për masa antikorrupsion, dhe presioni publik për zyrtarë të pastër është në rritje, raportimet në media janë të shumta dhe në tërësi, konceptet e integritetit dhe të dekriminalizimit janë pranuar tashmë si standarde të panegociueshme për zyrtarët e lartë dhe të zgjedhur. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë e vitit 2023 dhe sfidat e ardhshme të saj.
Permbledhja e raportit gjendet këtu:
ISP – Mbi standardet e integritetit dhe dekriminalizimit ne 12 qarqe 2023
Raporti i plotë mund të gjendet në www.dekriminalizimi.com.al