Gjatë muajve maj – gusht 2017 Shqipëria aplikoi një eksperiment të ri politik: përfshirjen e opozitës në qeveri përmes emërimit të disa ministrave teknikë me rol kujdestar në monitorimin e qeverisjes dhe procesit zgjedhor. Tri partitë e mëdha politike ishin njëherësh pjesë e qeverisë dhe pjesë e garës elektorale në zgjedhje. Vendin e qeverisjes efektive e zuri krijimi i një Task – Force për monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, dhe vetë qeveria funksionoi në linja paralele. Eksperimenti erdhi si pjesë e marrëveshjes politike për dhënien fund të krizës politike 3-mujore dhe nevojës për rritjen e besimit tek procesi si dhe përfshirjes së opozitës në procesin zgjedhor. Arritja më e madhe e eksperimentit ishte evitimi i krizës politike, zhvillimi i zgjedhjeve dhe legjitimiteti i procesit të pranuar nga të gjitha palët konkuruese. Dështimi më i madh i eksperimentit ishte pafuqia për të parandaluar cilësitë negative të procesit, përfshirë trafikun e votës dhe abuzimin horizontal me burimet shtetërore në fushatë, si dhe për të krijuar një kulturë të re sjelljeve politike në raportet shtet – pushtet – fushatë elektorale.
Modeli unik i vitit 2017 ka ngjashmëri të pakta me modelet e koalicioneve të mëdha apo rasteve të pakta të kabineteve teknike 1991-2017. Praktika mund të jetë model referues për të ardhmen, sa herë që palët politike do të kenë mosbesim në standardet e qeverisjes në fushatat elektorale dhe kur midis tyre do të kërkohen akte mirëbesimi. Ky ishte edhe motivi kryesor që nxiti Institutin e Studimeve Politike (ISP) të kryejë një analizë të thelluar mbi eksperimentin, risitë, tiparet, traditën, rezultatet, problematikat dhe pritshmëritë në të ardhmen. Projekti i ISP u mbështet nga Programi për Shoqërinë e Hapur (OSFA) dhe përfaqëson një nga dy komponentët monitorues e analitikë lidhur me fushatën elektorale të vitit 2017. Komponenti i dytë lidhet me përcaktimin e zonave të riskut elektoral, zbatimin integral të ligjit të dekriminalizimit në stafet elektorale, si dhe elementët kritikë të trafikut të votës.
Fokusi në monitorimin e punës së ministrave teknikë dhe analizës së eksperimentit bashkëqeverisës pas marrëveshjes politike të 17-18 majit 2017, përbën bazën kryesore të këtij studimi. Grupi i ISP-së u përqendrua kryesisht në punën e tri ministrive me drejtim teknik gjatë fushatës elektorale, (Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë), si dhe në aspektin afatgjatë, me analizën e praktikës me ministrat teknikë, gjetjet kryesore dhe rekomandimet për të ardhmen.
Në funksion të këtij qëllimi, ISP-ja hulumtoi aktet e Këshillit të Ministrave dhe sidomos të ministrave teknikë gjatë periudhës maj – korrik 2017, aktivitetin e Task-Force të krijuar posaçërisht për zgjedhjet, raportet e institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi periudhën e funksionimit të ministrave teknikë, etj. ISP-ja mbajti shënim të gjitha deklaratat politike lidhur me këtë praktikë, komentet në media, intervistat, si dhe zhvilloi disa intervista cilësore me protagonistë të eksperimentit, përfshirë ministra teknikë, zyrtarë të stafeve politike në mbështetje të tyre, nëpunës të shërbimit civil në ministritë e fokusuara, ekspertë të së drejtës dhe përfaqësues nga kabineti i kryeministrit. ISP falënderon posaçërisht të gjithë individët e përfshirë dhe kontribues në monitorimin tonë aktiv, përfshirë ish Zv/kryeministren Mandija, drejtuesit e stafit administrativ në kryeministri, ekspertët e MAS, MMSR dhe MPB, ekspertët e angazhuar në Task – Force, etj, të cilët mirëpritën kërkesat dhe interesimin tonë dhe dhanë vlerësime profesionale mbi problematikën.
Botimi i plote per te interesuarit mund tu vihet ne dispozicion ne hard copy ne zyrat e ISP.