Projekti “Muzeu i Memories” u realizua nga ISP dhe me mbeshtetje te Ministrise se Kultures (2014 dhe 2015). Muzeu online i dedikohet moshave te reja qe nuk e kane jetuar periudhen komuniste. Ai u projektua në tri forma plotësuese.
Së pari, një muze virtual online informues për periudhën komuniste, mënyrën e jetesës dhe funksionimin, tiparet kryesore dhe raporti midis qytetarit e shtetit, elementët e qëndresës dhe sistemi i dhunës kolektive, si edhe të dhëna të detajuara mbi aspektet kryesore të periudhës komuniste.
Së dyti, elementët më të gjetur të Muzeut u ripunuan për të krijuar një ekspozitë simbolike shëtitëse, e cila do të ishte në funksion të publikut që nuk përdor rrjetet sociale dhe internetin, si dhe do të ekspozohej në mjediset publike të shkollave të mesme me nxënës të moshës 14-18 vjeçare në qytetet kryesore të vendit.
Së treti, projekti do shoqërohej me një eksperiment social. Organizatorët do të kryenin një test paraprak me të rinjtë mbi njohuritë e tyre specifike mbi periudhën komuniste në Shqipëri dhe më pas, ata do të ftoheshin për të vizituar muzeun online ose ekspozitën përkatëse. Pas këtij procesi, të njëjtit të rinj u ftuan të plotësojnë një pyetësor tjetër mbi tematikën e të kaluarës komuniste dhe trashëgiminë e saj. Përmes eksperimentit social ishim në gjendje të analizonim shkallën standard të njohurive mbi të kaluarën, si dhe nivelin e influencimit që Muzeu i Memories mund të ketë tek të rinjtë.
Projekti synon të vazhdojë me prezantimin e tij në të gjitha qendrat universitare të vendit, në shkollat kryesore në qytetet kryesore dhe në mjedise të tjera, sidomos rinore, që kanë lindur pas vitit 1990 dhe që kanë pak info mbi të kaluarën komuniste. Krahas prezantimit, projekti parashikon edhe pjesëmarrjen në çdo takim të më shumë se një figure që ka vuajtur direkt dënimet politike gjatë diktaturës, si dhe të sjellë përvojën e vendeve të tjera në memorizimin e krimeve të komunizmit.
MUZEU I PLOTE ONLINE MUND TE SHIHET NE LINK-UN ME POSHTE:
http://muzeuimemories.info/