Mbikëqyrja parlamentare dhe procesi i raportimeve vjetore në Kuvend gjatë 2024; zhvillimet pozitive dhe gjetje kritike në krahasim me procesin raportues 2023; niveli i efektivitetit dhe transparencës së procesit mbikëqyrës në parlament; seancat dëgjimore dhe raportuese në Kuvend dhe ecuria e rezolutave; kërkesat e institucioneve të pavarura dhe ndërveprimi me Kuvendin; raportet ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile mbi gjetjet / rekomandimet, si dhe sfidat aktuale e të ardhshme dhe nevoja e qasjes strategjike mbi raportimet vjetore.
Këto janë disa nga tematikat e diskutuara në tryezën e radhës të organizuar nga ISP dhe WFD “Mbi standardet dhe praktikat e procesit raportues në Kuvendin e RSH”, me Komisionin e Ligjeve në Kuvend, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDP), Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), përfaqësues nga drejtoritë respektive nga Kuvendi i RSH, ekspertë nga shoqëria civile dhe përfaqësues të programit nga ambasada britanike në Tiranë.
Valbona Kuko (WFD) dhe Afrim Krasniqi (ISP), deputetja Dhurata Çupi (PD), Lutfi Dervishi (ISP), Ilirjan Celibashi (KSHZGJ), Besnik Dervishi (IDP), Ardiana Hala (KMD), ekspertët e ISP Eno Muja dhe Juljana Bilbilaj zhvilluan një diskutim konstruktiv mbi gjetjet dhe rekomandimet monitoruese të ISP, procesin e raportimeve vjetore në Kuvend, rolin e institucioneve dhe të vetë Kuvendin, si dhe sfidat për ecurinë e mëtejshme gjatë 2025.
Gjatë vitit 2024 Instituti i Studimeve Politike (ISP) është angazhuar për të monitoruar procesit raportues të institucioneve kushtetuese dhe atyre të pavarura të krijuara ne ligj në Kuvend, si dhe funksionin zgjedhor të Kuvendit në drejtim të këtyre institucioneve. Raportet janë publikuar në faqen e internetit www.isp.com.al.
Në kuadër të monitorimit ISP ka publikuar Raportin “Vlerësimi i kapaciteteve dhe mekanizmit raportues në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, raporte periodike monitorimi 2023-2024. Angazhimi është pjesë e projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili po realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokracinë (WFD) dhe financuar nga FCDO përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.