Zgjedhjet 2021 janë zgjedhjet e dhjeta në historinë e tranzicionit. Zgjedhjet 1991, 1997, 2001, 2013 dhe 2017 janë dominuar nga e majta (PPSH dhe më pas PS), ndërsa zgjedhjet 1992, 1996, 2005, 2009 janë dominuar nga e djathta. Më 1991 votohej 100% me sistem mazhoritar, ndërsa midis 1992-2005 u eksperimentua me sistem miks, 100-115 zona në mazhoritar dhe pjesa tjetër 25-40 mandate në proporcional. Pas 2008 vijohet me sistem proporcional rajonal.
Bazuar në të dhënat e organizimit të sotëm territorial (12 qarqe) llogaritja e mandateve parlamentare të fituara në mazhoritar 1991-2005 dhe në proporcional rajonal 2009-2017, e realizuar nga ekspertët e ISP-së, tregon se midis zonave të ndryshme ka pasur raporte të ndryshme politike, ndërkohë që disa zona mbeten bastion i palëve politike. E majta është dominuese në mandate në 7 qarqe (Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë) ndërkohë që e djathta ka pasur numër më të madh të deputetëve të fituar në qarqet Durrës, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Në kryeqytet PD ka fituar në 9 zgjedhje 121 mandate parlamentare ndaj 93 mandateve parlamentare nga PS. Raporti më i thellë midis palëve politike është Shkodra për PD (77 me 23) dhe Gjirokastra e Fieri për PS, përkatësisht 33 me 12 dhe 74 me 39 mandate.
Statistikat e përpunuara nga stafi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) dëshmojnë se referuar peshës që qarqet kanë qenë në mandatet e fituara nga dy partitë e mëdha, rezultojnë të dhëna interesante: për demokratët Tirana ka pasur peshën specifike prej 22% të totalit të mandateve të fituara, ndjekur nga Shkodra me 14%, ndërkohë që qarku më përqindjen më të vogël në bilancin e PD gjatë tranzicionit është Gjirokastra me 2% dhe Berati me 3% i ndjekur nga Kukësi e Dibra me nga 5%. Tek PS, qarku më me shumë përfaqësim gjatë tranzicionit ka qenë Tirana me 16%, i ndjekur nga Fieri me 15% dhe Elbasani me 13%. Qarqet më me pak prurje mandatesh dhe peshe specifike në PS janë Kukësi me 3%, si dhe Shkodra dhe Lezha me nga 4%.
A do të ketë devijime në rezultate në zgjedhjet e vitit 2021? Natyrisht çdo qark ka pësuar ndryshime dhe vetë eksperimenti i ri me pragun 1% dhe me votë parapëlqyese do të japë efektet e veta, siç efekt do të japë edhe vala e emigrimit e viteve të fundit, shumica e të cilëve përbëjnë votues kundër apo refuzues të pjesëmarrjes në zgjedhje. Gjithsesi, pavarësisht rezultateve, tregues thelbësor është fakti se dy partitë e mëdha vijojnë të jenë dominuese në përfaqësimin politik, si dhe pavarësisht retorikës bardh e zi, ato kanë drejtuar tranzicionin në kohë të barabartë dhe me përfaqësim thuajse të barabartë edhe zonal. 2021 vetëm sa e plotëson këtë argument. Ndërkohë interesante është për të analizuar edhe sistemin e karrierës në partitë politike, nëse deputetët e qarqeve mbështetëse në partitë respektive kanë pasur po aq rol në vendimmarrjet e rëndësishme politike, në ekzekutiv dhe në poste të tjera të larta partiake e parlamentare, apo vota dhe përfaqësimi vijojnë të jenë në raport të zhdrejtë midis tyre.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)