Funksion kushtetues i Kuvendit në sistemin tonë qeverisës është edhe ushtrimi i kontrollit parlamentar përmes mekanizmit të raportimit të institucioneve të pavarura. Raporti vjetor është detyrim, jo zgjedhje. Kuvendi i shqyrton raportet në komisione / në seancë plenare, si dhe miraton rezoluta vjetore vlerësuese dhe rekomanduese.
Nga monitorimi i ISP-së rezulton se legjislatura aktuale, e cila vijon ushtrimin e funksionit deri më 10 korrik 2025, nuk ka nisur ende ushtrimin praktik të këtij funksioni. Vendimi jo transparent për shtyrjen e raportimeve, ashtu si edhe risku për kalime formale proceduriale, në gjykimin e ISP-së përbëjnë zhvillime shqetësuese, heqje dorë nga Kuvendi të një prej funksioneve bazë kushtetuese dhe devijime nga standardet e mira dhe cenim të integritetit të institucionit/institucioneve.
Kuvendi aktual ka ende në proces rreth 130 akte ligjore për vendimmarrje, përfshirë disa nisma ligjvënëse nga zgjedhësit dhe vende vakante të paplotësuara në institucione. Dështimi i legjislaturës për t’i trajtuar ato dhe për vendimmarrje brenda mandatit dobëson besimin publik, rolin e Kuvendit dhe standarde e procesit ligjvënës.
Së fundi, Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike dhe detyrime në kuadër të Cluster One, parashikojnë afate dhe masa konkrete antikorrupsion, angazhime reformimi, standarde transparence dhe llogaridhënie. Deri tani Kuvendi nuk ka kryer akte shteruese në përmbushje të tyre.
ISP ka monitoruar aktivitetin parlamentar nga viti 2015, proces që do ta vijojë edhe në të ardhmen, ndërkohë që monitorimi përfshin edhe ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe integritetin e institucioneve.