Sa është numri real i anëtarëve në partitë politike? Kohë më parë Instituti i Studimeve Politike (ISP), i cili monitoron rregullisht zgjedhjet në partitë politike, raportoi se ka një hendek të madh midis numrit të anëtarëve të deklaruar zyrtarisht nga PS dhe numrit real të anëtarësisë. Për shembull, PS deklaronte më 2019 rreth 103,056 anëtarë, por në zgjedhjet në parti votuan vetëm 76,068 anëtarë, pra 26% e anëtarëve nuk morën pjesë në votim (shih https://isp.com.al/index.php/2019/11/18/zgjedhjet-ne-ps-2019-dhe-pasojat-e-fiktivitetit-ne-partite-politike/.
Mospjesëmarrja në votim, sidomos kur është parti në pushtet, është tregues i të dhënave fiktive të partive politike, të cilat rrisin numrat për dy arsye: e para, për të demonstruar forcë dhe për të marrë rolin e partisë kryesore politike në vend, dhe e dyta, për të justifikuar përmes kuotës fiktive të anëtarësisë financimet informale që partitë marrin në fushata elektorale dhe në periudhat jozgjedhore.
Këto ditë Partia Demokratike po zhvillon proces zgjedhor të brendshëm dhe drejtuesi i KQZ në këtë parti deklaroi se PD ka 75,067 anëtarë në Regjistrin e Anëtarësisë. I njëjti drejtues në zgjedhjet e brendshme partiake më 2017 pati deklaruar se PD kishte 103,952 në Regjistër, pra më shumë se 28 mijë anëtarë sesa deklarimi i tanishëm (shih http://isp.com.al/wp-content/uploads/2018/02/ISP-ANALIZE-E-ZGJEDHJEVE-NE-PD-2017.pdf). Në fakt, në Zgjedhjet për kryetar më 2013 në PD morën pjesë vetëm 41,360 anëtarë, kurse më 2017 vetëm 59,834 anëtarë, pra respektivisht 63 dhe 44 mijë më pak sesa deklarimi zyrtar. PD e justifikoi në atë kohë pjesëmarrjen e ulët me frikën e deklarimit të anëtarëve në kushtet e qenies në opozitë, alibi e cila nuk është e qëndrueshme dhe as e natyrshme për një parti politikë në një shoqëri të hapur.
Për shkak të zgjedhjeve në PD ka interes të shihet kurba e anëtarëve të deklaruar në PD prej 1992. Konkretisht, kurba e analizuar nga ekspertët e ISP-së (tabela ilustruese 2) tregon se PD deklaroi më shumë se 100 mijë anëtarë më 1992 dhe më shumë se 130 mijë në vitin 1996, për të rënë në vetëm 65 mijë më 2001, 68 mijuë më 2005 dhe 72 mijë më 2009, vitin e fundit të mandatit të saj në rikthimin në qeverisje. Bazuar në këto të dhëna zyrtare të PD rezulton se kriza e vitit 1997-1999 i solli PD-së pothuajse 50% humbje të anëtarësisë, kurse gjatë 4 viteve të fundit anëtarësia ka rënë me rreth 28 mijë anëtarë.
A kemi të bëjmë me rënie reale apo me shifra fiktive të deklarimit, a kemi të bëjmë me rënie të interesit të brezit të ri për tu angazhuar në partitë politike ndërkohë që ndryshohen brezat moshorë, a ka ndikim vala e emigrimit jashtë vendit dhe parcelizimin e partive (nga PD u shkëputën dhe krijuan disa parti të vogla vitet e fundit), a kanë partitë database reale që mundëson zgjedhje të rregullta brenda tyre, si dhe a veprojnë partitë si institucione të besueshme: këto janë çështje të analizës komplekse, por fakti është se trendi i votës kombëtare reflektohet edhe në trendin e rritjes/rënies së anëtarëve të partive kryesore politike.
Një pyetje tjetër thelbësore: në 1.6 milionë votues si mund të kenë dy partitë e mëdha më shumë se 210 anëtarë së bashku, si mundet një parti që fiton rreth 740 mijë apo 620 mijë vota të marrë vetëm gjashtë vota për çdo anëtarë në partitë e tyre, si mundet që një përqindje kaq e lartë e zgjedhësve (mbi 18 vjeç) të jenë anëtarë partie, kur raporti anëtarë në parti vs numër banorësh e vendos Shqipërinë në krye të listës së vendeve europiane? A përbën koncepti i partive popullore, me shtrirje të gjerë dhe të gjithanshme në shtet e shoqëri, një kërcënim për pluralizmin, konkurrencën, idetë politike, zgjedhjet, administratën shtetërore dhe mbi të gjitha, për demokracinë funksionale? Ky duhej të ishte thelbi i diskutimit për sfidat e Shqipërisë së dekadës së re, por për të cilat ende nuk flitet, sidomos në partitë kryesore politike.
Të dhënat me kontraste të tilla të thella janë një shtysë tjetër me rëndësi për të mbështetur idenë e hartimit të legjislacionit të ri mbi partitë politike, mbi organizimin, mbi të dhënat vjetore të tyre të depozituara në Regjistrin e partive politike në Gjykatë dhe mbi financimin e partive politike dhe të fushatave elektorale. ISP do vijojë të adresojë rekomandime konkrete në këtë drejtim, sapo parlamenti i ri të nisë punën në shtator 2021.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)