Shqipëria ka zhvilluar disa procese zgjedhore parlamentare e lokale, dhe në 90% të rasteve misionet ndërkombëtare (fillimisht KSBE, NDI, NRI, EP) dhe më pas ODIHR/OSBE, CoE, etj, kanë kryer monitorimin dhe vlerësimin e proceseve. Përballja me kriteret e Kopenhagën mbeten test për çdo demokraci të re të dalë nga vendet ish komuniste, por edhe një kriter vlerësues për progresin e vendit dhe ecurinë e tij drejt demokracisë përfaqësuese dhe funksionale. Shqipëria vijon të jetë një vend me natyrë eksperimentale në proceset zgjedhore, por edhe me problematika e dukuri negative që cenojnë legjitimitetin dhe sidomos integritetin e tyre.
Referuar të dhënave të raporteve të ODIHR dhe organizatave ndërkombëtare dhe duke i shprehur vlerësimet e tyre në klasifikim numerik, rezulton se zgjedhjet më të mira në Shqipëri ishin ato të vitit 1992, kur de facto ishin një referendum masiv në mbështetje të ndryshimit të sistemit politik. Dy zgjedhjet e tjera më të vlerësuara mbeten zgjedhjet e para lokale 1992, ku qeveria humbi në gjysmën e njësive dhe zgjedhjet e rotacionit politik 2005, ku nevoja për rotacion ndikoi në realizimin e tij përmes një procesi të gjithëpranuar, dhe ku në zona të caktuara për herë të parë një qeveri në pushtet, u ankimua se i janë deformuar votat. Rotacioni 2013 ishte i qetë, por fenomenet negative që shoqëruan, me futjen në politikë të të “fortëve” dhe përdorimin masiv të shtetit në fushatë, i japin vlerësim më negativ sesa rotacionit të vitit 2005. Zgjedhjet e vitit 1996, 1997 dhe të fundit 2019 kanë të njëjtin vlerësim, për shkak të incidenteve të shumta, sjelljes arrogante të qeverive me opozitën dhe faktit se në tri rastet de facto opozita mungoi në konkurrencë dhe se nevoja për stabilitet la tërësisht në hije standardet e zgjedhjeve.
Kurba e zgjedhjeve reflekton edhe kurbën e ndryshimeve që kanë ndodhur në problematikën e zgjedhjeve dhe zhvillimet politike, – për shembull, praktikat zgjedhore dhe mjetet e mundshme të manipulimit kanë ndryshuar dhe nuk janë të njëjta në dy dekadat e tranzicionit, forma të reja shkeljesh kanë qënë të panjohura më parë, liria e medias është zgjeruar bashkë me mundësinë e keqpërdorimit të saj, shteti nuk është gjithnjë i njëjtë dhe praktikat abuzive kanë evoluar pas çdo procesu zgjedhor.
Kurba zgjedhore ka pësuar rënie në standarde dhe cilësi prej fillimit të viteve ’90, duke i dhënë më shumë rëndësi nevojës për mbajtjen ose marrjen me çdo kusht të pushtetit. Kurba negative e zgjedhjeve reflektohet edhe në vetë partitë politike, ku në vitet 1991-1999 kishte konkurrencë të fortë, mendime kritike dhe ekzistencës e grupeve të organizuara kritike, ndërkohë që dekadën e fundit nuk ka as zgjedhje formale ose kur ato bëhen, janë të dominuara nga manipulime dhe denigrime ndaj kritikëve të shefave politikë.
Kurba negative e zgjedhjeve duhet lidhur me kurbën e nivelit të maturisë politike dhe formimit demokratik në Shqipëri. Ata që fitojnë zgjedhje të deformuara, siç thoshte dikur një kryeministër kur ishte në opozitë “vjedhin vota për të vjedhur më pas Shqipërinë”, – tezë që e kanë bërë për vete të gjithë, përfshirë edhe autorin e këtij citati. Kurba negative është një akuzë për elitën politike të tranzicionit, është konfirmuese e dështimit me eksperimentet me KQZ dhe administrim partiak të zgjedhjeve, si edhe është një alarm mbi deformimin e demokracisë përfaqësuese, por edhe një tregues se nga duhet filluar reforma për ndryshim.
(Pjesë ilustruese nga studimi në proces i ISP mbi zgjedhjet, sjelljen zgjedhore dhe sistemin përfaqësues në Shqipëri).
Instituti i Studimeve Politike (ISP)