Bazuar në pozitën kushtetuese e ligjore, rolin në sistemin përfaqësues dhe rëndësinë që kanë partitë për ecurinë e procesit demokratik në Shqipëri, është me interes të shihet situate brenda vetë partive politike, – proceset e tyre zgjedhore dhe vendimmarrëse. Instituti i Studimeve Politike përmes politologut Afrim Krasniqi, pedagog i sistemeve partiake dhe sistemeve zgjedhore, – ka realizuar një studim të detajuar dhe krahasues të zgjedhjeve të zhvilluara në PS (2009 dhe 2016), si dhe veçanërisht në PD (2017). Qëllimi është për të kuptuar nëse partitë arrijnë të përmbushin brenda tyre standardet zgjedhore që promovojnë në programet dhe ligjërimin e tyre publik dhe nëse partitë tona veprojnë në respekt të plotë të parimit kushtetues të organizimit mbi parimet demokratike.
Teza kryesore e studimit është se në partitë tona politike po humbet nocioni i demokracisë së brendshme konkurruese dhe se baza militante partiake vijon të jetë përcaktuese në vendimmarrjet politike, mbështetëse e pakushtëzuar e liderëve të fortë politikë dhe e devijimit nga demokracia konkurruese në demokraci formale të personalizuar. Vetëm në vende para-demokratike si Shqipëria mund të ndodhë që kryetarët e partive që sapo humbin zgjedhjet, të votëbesohen në shumicë absolute për mandate të tjera drejtuese. Pyetja është: çfarë rezultati do të merrnin të njëjtët kryetarë nëse do të ishin fitues në zgjedhjet parlamentare? E kemi një përgjigje: Rama më 2009 mori mbi 93% të votave në parti kur humbi zgjedhjet parlamentare dhe rreth 94% të votave kur fitoi zgjedhjet parlamentare. Në PD, zoti Basha mori mbi 91% të votave të militantëve vetëm një muaj pasi kishte arritur rezultatin më të ulët historik të PD, vetëm 28% të votave kombëtare.
A janë këto rezultate tregues se partitë politike kanë sjellje elektorale dhe vendimmarrje të ndryshme nga sjellja elektorale dhe vendimmarrja në zgjedhjet parlamentare, apo kemi të bëjmë me procese të deformuara zgjedhore brenda partive politike? Të dhënat e studimit dëshmojnë për variantin e dytë: partitë dominohen nga kryetarët dhe mbështetësit e tyre besnikë, ato refuzojnë hapjen dhe praktikat demokratike të votimit konkurrues, nuk kanë mekanizma garancie brenda tyre dhe se rregullat funksionalë (statutet, rregulloret, udhëzimet, etj), ndryshojnë në varësi të interesit politik të titullarit. Partitë, përfshirë PS e PD, nuk kanë regjistër anëtarësie të verifikueshëm dhe funksional, kanë fiktivitet në të dhëna dhe në vendimmarrjet e brendshme, nuk kanë “gjykata” statusore funksionale dhe nuk lejojnë fraksionet politike kritike brenda tyre.
Studimi ofron të dhëna teknike krahasuese, shumica të publikuara për herë të parë, të cilat dëshmojnë për devijime nga parimet demokratike që partitë promovojnë, për standarde minimale demokracie brenda partive, për fiktivitet në votime dhe në administrimin e rezultateve, për paradokse në shpalljen e rezultateve dhe për natyrën autoritariste të partive politike kryesore.
PERFUNDIME DHE REKOMANDIME
- Zgjedhjet për kryetar në PD (2013 dhe 2017), zgjedhjet për kryetar në PS (2009 dhe 2016) si dhe në tërësi zgjedhjet e partive politike për kryetar me parimin “1 anëtar – 1 votë” përbëjnë deformim nga modeli dhe standardi klasik i votës nga anëtarësia. Ato vuajnë nga protagonizmi i kandidatit të paracaktuar, nga mungesa e shanseve për konkurrim real, nga mungesa e regjistrave të sakta të anëtarësisë, nga mungesa e organeve të besueshme menaxhuese të zgjedhjeve dhe nga fiktiviteti në pjesëmarrje dhe në votim.
- Në partitë shqiptare një pakicë militante po merr shumë më tepër pushtet sesa shumica qytetare brenda e jashtë partive politike. Kjo pakicë militante, kryesisht pa formim politik e me defekte në formimin kulturor demokratik, dukshëm i reziston sfidës për zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme, ajo imponon vendimmarrjet brenda partive dhe përmes tyre, imponon edhe sistemin e karrierës në parti, vendimet politike të partisë dhe sistemin gjithnjë e më vertikal të vendimmarrjes politike.
- Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit nuk shënuan hapa pozitiv në standardet zgjedhore, dhe një faktor me ndikim në këtë bilanc negativ, është edhe vetë gjendja e mjerueshme e demokracisë së brendshme në partitë politike. Standardet e zgjedhjeve brenda partive politike janë po aq problematika, madje në disa aspekte më formale dhe fiktive sesa edhe zgjedhjet parlamentare e lokale në Shqipëri.
- Zgjedhjet e 22 korrikut në PD nuk ofruan zgjidhje, dështuan të ofrojnë standarde më të larta zgjedhore sesa në partitë e tjera dhe përbëjnë një humbje tjetër në cilësi e besim publik të njëjtë me humbjen me rekord negativ historik më 25 qershor 2017. Ato indirekt legjitimuan standardet minimale në PD, por edhe standardet minimale të zgjedhjeve të 25 qershorit.
- Zgjedhjet jodemokratike brenda partive politike nuk sjellin demokratizim të partive dhe as hapje të tyre, modernizim apo forcimit të alternativës politike. Përkundrazi. Ato krijojnë përçarje dhe ulin besimin publik të qytetarëve tek partitë dhe të vetë anëtarëve të partive tek forca udhëheqëse dhe reformatore e lidershipit partiak. Zgjedhjet e fundit në PD janë dëshmi e kësaj teze.
- Legjislacioni i partive politike përcakton rregulla e parime të organizimit dhe funksionimit të partive politike, por nuk parashikon mekanizma monitorimi dhe ndërhyrje për të garantuar këto rregulla e parime. Përmirësimi i ligjit dhe ngritja e instrumenteve të garancisë mund të përbëjnë një hap me rëndësi në drejtim të rritjes së legjitimitetit përfaqësues e funksional të vetë partive politike.
- Partitë politike, sidomos PD e PS, kanë nevojë emergjente për reformim të bazës ligjore funksionale, – statusin, programin, rregulloret, etj, për të krijuar një bazë solide ligjore funksionimi dhe mekanizma garancie për më shumë demokraci funksionale brenda tyre.
- Partitë kryesore kanë nevojë për një anëtarësi më të hapur dhe transparente, për një Regjistër të besueshëm e real të Anëtarësisë, për raporte të reja midis anëtarëve fiktivë dhe atyre që plotësojnë kriteret statusore të angazhimit permanent vullnetar, si dhe për një sistem më të hapur e cilësor rekrutimesh, larg modelit familjar, klanor e pragmatist të tyre.
- Partitë kryesore kanë nevojë të aplikojnë gara të brendshme partiake në zgjedhjet e kryetarëve lokalë, në zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiak e këshillin bashkiak, në zgjedhjen e kandidatëve për poste publike dhe në zgjedhjet e drejtuesve të organizatave partnere.
- Partitë politike kryesore, sidomos PS e PD duhet të miratojnë kritere bashkëkohore që mundësojnë ekzistencën e garancinë e mendimit ndryshe të pakicës në parti, si dhe të shanseve që mendimi ndryshe, përmes rregullave demokratike, të konkurrojë periodikisht për tu shndërruar në shumicë. Modelet e partive republikane e socialiste franceze janë modele referuese pozitive edhe për rastin e dy partive shqiptare, kryesisht edhe për shkak se pjesa më e madhe e elitës politike të tranzicionit në Shqipëri vjen nga kultura frankofonike e formimit përpara vitit 1990.
- Partitë kanë nevojë për trajnime të vazhdueshme në aspektin e formimit politik e demokratik, kryesisht nga partnerët perëndimore asistues të tyre, si dhe kanë nevojë për akademi funksionale të debatit dhe të formimit politik brenda strukturave të tyre.
- Partitë politike kryesore duhet të heqin dorë nga praktikat e periudhës para-demokratike për financimin e medieve militante në parti dhe jashtë saj, për tu lënë vend trendit të ri të partive moderne, për një sistem informimi shumë më cilësor, më pluralist, më elitar dhe më të besueshëm. Mediat partiake si ushqim për militantët dhe në shërbim pa kushte për liderit politik, mbeten një kërcënim për demokracinë funksionale dhe për modernizimin e partive politike.
- Proceset zgjedhore në partitë politike kanë interes publik, sepse partitë janë institucione publike e ligjore, financimi i tyre bëhet me taksat tona, vendimmarrja e tyre lidhet me jetën tonë. Për këtë arsye proceset zgjedhore brenda tyre duhet të jenë të hapura për grupet monitoruese civile dhe median, për të ofruar një standard transparencë të njëjtë me atë që partitë vetë promovojnë në programet e tyre politike.
Studimi i plotë gjendet në PDF bashkëngjitur.