ISP po kryen monitorimin e standardeve etike dhe të jetësimit të Kodit të Sjelljes në parlament, si pjesë e angazhimeve të tij për forcimin e komponentëve të transparencës, etikës dhe llogaridhënies.
Standardi ligjor? Sipas Kodit, neni 6, “Deputetit i ndalohet të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila nxit urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, besimit fetar, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, gjendjes civile, familjare ose martesore, orientimit seksual, identitetit gjinor, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër”.
Problematika e konstatuar? Gjatë monitorimit të debateve në seancat plenare dhe komisionet parlamentare një numër konsiderueshëm deputetësh përdorin gjuhë fyese, denigruese ose diskriminuese. Reagimi ndaj rasteve ka qenë jo proporcional dhe me standarde të dyfishta.
Rekomandime dhe rrugëzgjidhje? Kodi i Sjelljes dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë masat disiplinore në rast të shkeljeve. Kuvendi duhet t’i aplikojë ato në mënyrë transparente dhe të besueshme pa dallim nga pozicioni dhe përkatësia politike e deputetëve në opozitë ose mazhorancë.
Ky infografik është realizuar në kuadër të projektit “Një parlament me integritet: Kodi i Sjelljes, Transparenca dhe Llogaridhënia”, i cili po zbatohet nga ISP me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të ISP-së dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.