Instituti i Studimeve Politike, në kuadër të vijimit të monitorimit të veprimtarisë së Kuvendit të Shqipërisë, ka konstatuar se në përmbajtjen e Rregullores së këtij institucioni, miratuar me vendimin Nr. 166, datë 16.12.2004 (e ndryshuar), ekzistojnë mungesa relevante të parimeve të paanshmërisë dhe parandalimit të konfliktit të interesit gjatë vendimmarrjes në një sërë organesh dhe strukturash kolegjiale parlamentare.
Pavarësisht se veprimtaria parlamentare shoqërohet dhe diktohet nga rregulla kushtetuese dhe procedurale ligjore, ajo nuk është e imunizuar për të mos u harmonizuar me parimet e tjera të përgjithshme kushtetuese dhe ligjore që rregullojnë vendimmarrjen si procedurë në vetvete, duke parandaluar paligjshmëri që mund të vijnë si pasojë e procesit të parregullt ligjor, paanshmërisë dhe konfliktit të interesit.
Rregullorja e Kuvendit gjatë trajtimit të procedurave për konstituimin dhe përbërjen e komisioneve të përhershme apo të përkohshme, sekretariateve të Kuvendit, këshillave dhe grupeve parlamentare, nuk parashikon në asnjë dispozitë rregullat mbi kritere të papajtueshmërisë së funksionit apo pozitave të deputetëve që mund të shkaktojnë konflikt interesi, anësi në vendimmarrje apo cenim të procesit të rregullt ligjor nëse emërohen si pjesë e ndonjërës prej tyre.
Në Rregullore nuk ekziston asnjë paragraf, i cili të rregullojë vetë-deklarimin e deputetit në kushtet e konfliktit të interesit apo të anësie në vendimmarrje. Po ashtu, në rregullore nuk trajtohen rastet kur nismëtari i një projekt-ligji apo procedure parlamentare, nuk mund të jetë edhe shqyrtues edhe votues në komisionet respektive apo strukturat e tjera kolegjiale, për shkak të paragjykimit, dhënies së mendimit paraprak ose një interesi apo lidhje influence që ka me çështjen në shqyrtim nga puna apo statusi i tij i mëparshëm. Madje Rregullorja në vetvete nuk përcakton as rastet sesi administrohet dhe merret në konsideratë një rast vet-deklarimi për konflikt interesi i deputetit. Nuk jepet në asnjë rrethanë një definicion apo referencë ligjore për mënyrën sesi do të procedohet për analogji nëse konstatohet pavlefshmëri për shkak të vendimmarrjes me ves ndaj garancive ligjore të një deputeti dhe sesi do të mbajë përgjegjësi në këtë rast ky i fundit.
Neni 4 i Kushtetutës së Shqipërisë ka parashikuar një rregull, i cili dikton përputhshmërinë dhe harmonizimin e veprimtarisë së organeve shtetërore me tërësinë e të drejtave dhe detyrimeve që parashikon rendi juridik në vendin tonë, ku e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Në këtë kuptim, veprimet ose mosveprimet, aktet, vendimet dhe shërbimet që ndërmerr administrata publike duhet të kenë në përmbajtje të tyre frymën e parimeve dhe ligjshmërisë.
Ligji Nr.9367 date 07.04.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike” (i ndryshuar), në nenin 3 të tij, parashikon midis të tjerash se në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që kulmojnë në një vendimmarrje, autoriteti publik duhet të veprojë në përputhje me ligjin, me ndershmëri, paanshmëri, përgjegjësi, përkushtim, në afat, në mbrojtje, në çdo rast, të interesit publik dhe të drejtave të ligjshme të personave privatë, si dhe për ruajtjen dhe forcimin e besueshmërisë e të dinjitetit të institucionit ku punon, të shtetit në përgjithësi dhe të figurës së zyrtarit.
Në nenin 39 të Ligjit Nr.9367 date 07.04.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike” (i ndryshuar), parashikohet midis të tjerash se për raste të ndreqjes së konfliktit të interesave dhe sidomos të kryerjes së drejtë të detyrave dhe përgjegjësive të çdo funksionari merret në konsideratë për tu zbatuar edhe Kodi i Procedurave Administrative.
Në nenin 13 të Ligjit Nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikohet se në ushtrimin e funksioneve të tij, organi shtetëror trajton në mënyrë të drejtë dhe të paanshme të gjitha subjektet me të cilat krijon marrëdhënie. Madje në Nenin 30 bëhet fjalë për pengesat ligjore të nëpunësit publik ose anëtarit të organit kolegjial, të cilët nuk duhet të përfshihen në një procedurë vendimmarrëse, nëse kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen në shqyrtim. Nëse ekzistojnë shkaqet për të konstatuar anshmëri apo konflikt interesi që cenon rëndë procesin e rregullt ligjor, Kodi i Procedurave Administrative në Nenin 108 germa b i trajton procedurat dhe aktet e rrjedhura prej tyre si absolutisht të pavlefshme, duke mos krijuar asnjë efekt apo pasojë ligjore.
Për sa më sipër, Instituti i Studimeve Politike, nisur nga qëllimi për të standardizuar dhe përmirësuar aktin kryesor teknik të organizimit dhe funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të përfshirjes së garancive dhe përgjegjësive për një paanshmëri, parandalim të konfliktit të interesit dhe përmbushjes së një procesi të rregullt ligjor sipas Kushtetutës dhe akteve ndërkombëtare, i ka rekomanduar zyrtarisht Kuvendit amendimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë si një nevojë për ta harmonizuar atë me garanci dhe parime që do ti shërbejnë përmirësimit të punës dhe respektimit të ligjit në vendimmarrjen publike të Kuvendit.