SPAK dhe GJKKO njoftuan arrestimin e ish deputetit J.Çyrbja, i zgjedhur në dy mandate në listën e PS qarku Durrës. Akuza përmban vepra të rënda penale, përfshirë informimin me sekrete hetimore të grupeve kriminale dhe krimet elektorale me mbështetje reciproke midis deputetit dhe këtyre grupeve.
Më këtë rast, nga lista fituese prej 8 deputetësh e PS në Durrës në zgjedhjet e vitit 2021, kemi të bëjmë me deputetin e tretë që dorëhiqet dhe përballet me drejtësinë. Në total 37% e 8 deputetëve të zgjedhur nga PS në këtë qark më 2021. Fillimisht Koka, më pas Rraja dhe së fundi Çyrbja, ndërkohë që një tjetër kandidat i listës shumëemërore në këtë qytet, A.Bitri është ndaluar nga KQZ të fitojë mandatin për shkak të rekordeve të padeklaruara të kriminalizimit. Ky nuk është rasti i parë kur deputetë të caktuar e vendosin aksesin dhe postin e vet në funksion të grupeve informale sponsorizuese, por është rasti i parë i provuar dhe njohur zyrtarisht nga SPAK.
Dekriminalizimi është paraparë të ishte proces i përkohshëm dhe instrument përmes të cilit partitë politike do të reformonin procesin e tyre të brendshëm selektiv dhe vendimmarrës dhe se personat me lidhje kriminale nuk do të kishin akses për tu zgjedhur ose emëruar në poste politike dhe publike. Rasti i Durrësit (2021) ashtu si i Lezhës (2013) tregon se një numër i lartë i kandidatëve të zgjedhur për deputetë nga e njëjta forcë politike, humbin mandatet për korrupsion dhe rekorde kriminale.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) monitoron dekriminalizimin, integritetin e kandidatëve dhe të partive politike. Në këtë cilësi ISP shpreh habinë sesi partia më e madhe politike në vend, duke qenë në dijeni të fakteve, ka refuzuar parimet etike dhe të dekriminalizimit, duke promovuar në listën fituese për parlament individë me rekorde të njohura kritike. Për më tepër, lista e Durrësit kryesohej nga kryeministri Rama, kryetari i PS, i cili në dy cilësitë kishte akses në informacion dhe mundësitë të krijonte një listë kandidatësh me integritet në një qytet universitar dhe me traditë demokratike.
Rasti i Durrësit përbën jo vetëm një alarm për nivelin e lartë të inkriminimit të politikës vendimmarrëse, por edhe një rast reflektimi, reagimi dhe sugjerimi për reformë urgjente, të thellë dhe funksionale në legjislacionin mbi financimet elektorale, mbi partitë politike dhe mbi aktet rregullatore parandaluese në zbatimin e standardeve të premtuara të dekriminalizimit. Ai rrëzon alibinë e përgjegjësisë individuale dhe retorikën për politikë të pastër. Slogani “të bëjmë shtet” apo “me duar të pastra” vjen në kontrast me konceptin e shtetit personal dhe nën shërbime të botës informale. Kjo vlen për të gjitha palët politike. Krimi zgjedhor dhe institucionet në shërbim të krimit janë në thelbin e tyre krim ndaj vlerave të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ndaj problematika të tilla duhen shqyrtuar dhe trajtuar me prioritet absolut.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)