Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Programit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA) është duke realizuar projektin “Parlamenti i pastër: llogaridhënie dhe transparencë”. Periudha e zhvillimit të projektit është janar 2019 – prill 2020. Ky është raporti i parë që lidhet me problematikat e konstatuara deri në këtë fazë të projektit.
Gjatë fazës së deritanishme të projektit “Parlament i pastër: llogaridhënie dhe transparencë”, ISP vlerëson se për shkak të zhvillimeve politike në vend, dorëzimit të mandateve nga partitë kryesore të opozitës si dhe procesit të zëvendësimeve që vijon në parlament, aplikimi i parimeve dhe standardeve të mira të evitimit të konfliktit të interesit dhe të Kodit të Sjelljes nuk kanë qenë prioritet në axhendën parlamentare dhe se mbeten një proces ende i papërfunduar.
ISP vlerëson se në tërësi, Kuvendi dhe deputetët kanë shënuar progres relativ në raport me rëndësinë që i jepet trajtimit të rasteve të konfliktit të interesit dhe të aplikimit të standardeve më të larta të Kodit të Sjelljes. Megjithatë monitorimi tregon se nuk ka ende reflektim nga grupet parlamentare për më shumë rregulla e standarde etike brenda tyre, në mënyrë që deputetët dhe vendimmarrjet të krijojnë, jo vetëm një mekanizëm llogaridhënie të brendshme, por edhe ta stimulojnë llogaridhënien dhe transparencën në të gjithë larminë e aktivitetit të Kuvendit të Shqipërisë.
ISP mirëpret faktin se për herë të parë ka dy deputetë, të cilët kanë bërë deklarime në Regjistrimin e Konfliktit të Interesave në Kuvend, dhe e shikon aktin e tyre si një tregues maturie dhe njëherësh edhe mbështetje me rëndësi në jetësimin real të standardit të deklarimeve nga të gjithë deputetët. Gjithashtu, ISP gjen rastin të apelojë deputetët e tjerë, që në raste të ngjashme të pranuara ose të evidentuara të ndjekin praktikën ligjore të deklarimit në Regjistër.
ISP vlerëson se Kuvendi, me gjithë progresin relativ, do të duhet ende të fokusohet në krijimin e mekanizmave të plotë, me akte, vendime, plotësim në rregullore, etj, për të përcaktuar rregulla të qarta dhe transparente për të gjitha rastet e mundshme të gjendjes në konflikt interesi ose të dukjes në situatë të tillë, në mënyrë që të ndikojë në unifikimin e praktikave dhe në rritjen e besimit publik tek integriteti i Kuvendit dhe tek mbështetja publike ndaj tij.
ISP vlerëson se mekanizmi i trajtimit të rasteve duhet të zgjerohet edhe në një mekanizëm të përhershëm të trajtimit të akuzave dhe të dhënave që vijnë nga burime të ndryshme drejt parlamentit dhe deputetëve. Kuvendi është burim zgjedhor dhe kontrollues për një numër të madh institucionesh të tjera, të cilat gjithashtu mund e duhet të jenë objekt verifikimi nga vetë strukturat përgjegjëse në Kuvend në raste të pretenduara ose të denoncuara të cenimit të parimeve të Kodit të Sjelljes dhe të Konfliktit të Interesit.
ISP evidenton se praktikat e mira dhe përpjekjet për standarde më të larta nuk kanë gjetur mbështetje nga të gjithë deputetët dhe nga Komisionet parlamentare, dhe se ende ka Komisione, deputetë, politikanë drejtues të tyre dhe struktura në Kuvend, të cilat tregojnë mungesë vullneti për jetësimin e standardeve të Kodit të Sjelljes dhe të Konfliktit të Interesit. si dhe përdorin autoritetin e Kuvendit për të penguar monitorimin dhe programin e transparencës në këtë drejtim.
Edhe për këtë arsye, ISP vlerëson se rritja e nivelit dhe e shumëllojshmërisë së monitorimit të Kuvendit, të aktivitetit të deputetëve dhe strukturave të tij, mbetet një prej mjeteve më efikase për të ushtruar ndikim pozitiv në rritjen e vetë standardeve të punës dhe vendimmarrjes së Kuvendit në raport me KI dhe KS.
ISP konstaton se ligjërimi politik ndaj rasteve të konfliktit të interesit apo mbi tematikën e konfliktit të interesit vijon të trajtohet nga politikanë, deputetë e parti politike parlamentare, si mjet i luftës politike kundër rivalëve politikë dhe jo si një standard thelbësor i përbashkët në funksion të transparencës dhe të rritjes së efikasitetit të aktivitetit të parlamentit dhe të integritetit të deputetëve
ISP konstaton se raportimet mediatike mbi problematikat e konfliktit të interesit reflektojnë më shumë ligjërimin politik të aktorëve politikë, sesa qëndrimet dhe investigimet e vetë medias. Ky është një përfundim i rëndësishëm dhe një tregues i nevojës që vetë media të jetë më aktive në monitorimin, evidentimin dhe publikimin e rasteve të pretenduara të konfliktit të interesit dhe të shkeljes së Kodit të Sjelljes.
RAPORTI I PLOTË MUND TË LEXOHET & SHKARKOHET KETU:
ISP – Raport mbi Konfliktin e Interesit (janar-prill 2019)