Detyrimi ligjor: Kodi Zgjedhor, neni 176/2 ngarkon KQZ-në të verifikojë mbi bazën e të dhënave daktiloskopike të mbledhura nga pajisjet e identifikimit elektronik nëse rezultojnë votues të shumëfishtë, si dhe të përgatitë materialin kallëzues për prokurorinë.
Problemi: KQZ ka nisur procesin e verifikimit, por një sërë denoncimesh kanë ardhur nga subjekte dhe media lidhur me pretendime për votues të shumëfishtë apo për shkelje të tjera që lidhen me përdorimin e teknologjisë në ditën e zgjedhjeve. Ende nga KQZ nuk ka kallëzime penal në prokurori lidhur me këto raste.
Zgjidhja? KQZ ka interes dhe përgjegjësi të kryejë verifikim të plotë dhe të besueshëm të të dhënave elektronike për të mundësuar përballjen me drejtësinë të çdo individi që ka shkelur ligjin, qoftë zgjedhës, komisionerët apo zyrtar tjetër në strukturat e administrimit zgjedhor.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë.