Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Programit të USAID në Shqipëri (ACDC – Zhvillimi dhe Bashkëpunimi i Shoqërisë Civile) gjatë periudhës dhjetor 2018-nëntor 2019 realizoi projektin “Për zgjedhje të ndershme: Të ndalojmë shpërdorimin e burimeve shtetërore”. Ky projekt ishte i pari në llojin e tij në praktikën shqiptare të monitorimit të zgjedhjeve dhe kishte si qëllim kryesor, monitorimin aktiv të respektimit të legjislacionit lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të periudhës së përgatitjes dhe zhvillimit të fushatës elektorale dhe kryerjes së zgjedhjeve vendore qershor 2019. Fokusi kryesor i monitorimit ishte qeverisja qendrore si dhe tri bashkitë: Vlorë, Durrës dhe Kamëz.
Gjatë kësaj periudhe ISP bashkëpunoi me një numër të madh institucionesh shtetërore qendrore e lokale, me KQZ, me NDI dhe OSBE, me parti politike, media dhe shoqëri civile. Aktiviteti i ISP u mbështet nga ANTTAC. Në përfundim të projektit ne vlerësojmë se monitorimi i zgjedhjeve dhe veçanërisht përdorimi i burimeve shtetërore në fushatat elektorale, do të vijojë të mbetet një sfidë edhe në të ardhmen e në drejtim të përmirësimit të bazës ligjore dhe sjelljes politike, por edhe të rritjes së standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.
Gjetjet kryesore të projektit dhe debati mbi to u zhvilluan në konferencën përmbyllëse me 19.12.2019, ku morën pjesë ekspertë të shoqërisë civile, nga organizata shqiptare e të huaja në Tiranë, kryetari i KQZ dhe aktorë të tjerë me fokus demokracia dhe zgjedhjet në Shqipëri
Më poshtë raporti i plotë i ekspertëve të ISP mbi monitorimin, gjetjet dhe rekomandimet lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore në vitin elektoral dhe fushatën elektorale 2019.
ISP – RAPORT – PËRDORIMI I BURIMEVE SHTETËRORE NË FUSHATËN ELEKTORALE 2019