ISP i është përgjigjur me shkrim kërkesës së Kuvendit për seancë dëgjimore për nismën e ndryshimeve kushtetuese të iniciuar nga PD, lidhur me vetingun në politikë, sistemin zgjedhor dhe organizimin vendor. Afati dy ditor nga njoftimi në zhvillimin e seancës konsultuese ishte i shkurtër, ndërkohë që axhendat e punës edhe për ekspertët e ISP janë paracaktuar ditë më parë. Opinioni me shkrim u njoftua nga kryetarja e Kuvendit z. Lindita Nikolla dhe u pranua në dokumentacionin përmbledhës të seancës dëgjimore.
Në opinion vlerësohet se bazuar edhe në gjetjet tona në sondazhe periodike ISP beson se ka një perceptim të përgjithshëm se politikanët janë të paprekshëm, partitë janë korruptive dhe jo llogaridhënëse, se shumë politikanë kanë lidhje informale dhe kriminale, se shumë politikanë kanë pasuri të pamundura për t’u krijuar në rrugë ligjore dhe se shumë prej vendimeve me natyrë ekonomike merren nën presionin e oligarkëve financues të karrierës dhe të fushatave elektorale. Ky është perceptim, ndërkohë që sondazhet tregojnë se besimi tek politika, partitë dhe parlamenti është në kuotat e njëjta që kishte drejtësia më 2015-2016 kur nisi vetingu në drejtësi.
Vlerësimi ynë përfunduar është:
- Shqipëria ka nevojë jetike për veting në politikë, për politikanë dhe politikë të pastër. Pa këtë veting dhe proces transparence dhe llogaridhënës do të jetë e pamundur të kenë sukses afatgjatë reforma në drejtësi apo proceset në drejtim të integrimit.
- ISP vlerëson se nisma kushtetuese e 39 deputetëve, megjithëse ka meritën se nxit procesin drejt një debati institucional dhe publik në mbështetje të vetingut në politikë, – mbetet e paplotë, e paqëndrueshme në formë e përmbajtje, pa mekanizma garancie dhe e motivuar më shumë për nevoja politike ditore, sesa për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
- ISP vlerëson se zgjidhja për vetingun në politikë mund të mundësohet brenda kuadrit të sotëm kushtetues, përmes reformimit rrënjësor të legjislacionit ekzistues për partitë politike, jetësimit integral të dekriminalizimin, reformimit të legjislacionit zgjedhjet dhe të instrumenteve të kontrollit pasuror, duke krijuar mekanizma funksionalë dhe të besueshëm verifikimi të hershëm dhe të përgjegjësisë konkrete ligjore në rast shkeljeve.
- ISP mbështet detyrimin me ligj të partive për mekanizma të brendshëm të integritetit, demokracisë së brendshme dhe etikës, të financimit dhe rolit të tyre në fushatat elektorale, ashtu si edhe penalizimin e tyre me ligj në rast se promovojnë dhe mbështesin individë me rekorde kriminale, nëse bazohen në burime financimi kriminale dhe nëse pamundësojnë ose pengojnë drejtësinë në hetimin e politikanëve të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë, të arsyetuar, të opinionit të shprehur nga ekspertët e ISP lidhur me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
ISP – Opinion mbi projektligjin mbi ndryshimet kushtetuese (6-2-2022)