“Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” – ndalesa e re e stafit të ISP në jetësimin e projektit të mbështetur nga Lëviz Albania ishte gjimnazi i njohur Sami Frashëri në Tiranë. Kjo është një prej shkollave të njohura që ka edhe “përfaqësues” në këshillin bashkiak Tiranë dhe në politikën vendimmarrëse, kryesisht për shkak të traditës dhe brezave të nxënësve që ka nxjerrë ndër vite. Qeverisja vendore në Tiranë zë vendin më të rëndësishëm në qeverisjen vendore në nivel kombëtar, për shkak të problematikave, numrit të madh të popullsisë, territorit, kontributit në buxhet dhe në ekonominë shqiptare.
Ecja drejt një qeverisje sa më përfaqësuese dhe transparente kërkon edhe aplikimin e standardeve më të larta të llogaridhënies dhe të mirëqeverisjes. Në raportet e mëparshme të ISP rezulton se bashkia Tiranë në dallim nga bashkitë e tjera aplikon programe specifike informimi publik, përfshirë aplikacioni Tirana ime, por edhe ndërkohë mbetet në deficit në raport me zbatimin rigoroz të kërkesave të ligjit për konsultimin publik, programin e transparencës dhe përfaqësimin qytetar në vendimmarrje.
Të rinjtë e gjimnazit “Sami Frashëri” diskutuan mbi perceptimet dhe pritshmëritë e tyre ndaj qeverisjes vendore, përvojat dhe nevojat që ata kanë, bilancin e deritanishëm të qeverisje vendore në bashkinë Tiranë dhe qarkun përkatës të Tiranës, cilësinë e shërbimeve që ofrohen dhe mekanizmat sesi të rinjtë mund të kenë zë më aktiv dhe më të rëndësishëm në proceset e konsultimit dhe të vendimmarrjes lokale. Bashkë me të rinjtë ishin ekspertë të njohur të ISP-së mbi qeverisjen vendore, të cilët bënë edhe prezantimin e gjetjeve kryesore të monitorimit në kuadër të projektit dhe ndanë me të rinjtë shqetësimet e sugjerimet e përbashkëta për rritjen e standardeve të llogaridhënies dhe transparencës në nivelin vendor.