Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë gjatë periudhës janar 2021-tetor 2021 realizoi projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania”. Qëllimi kryesor i projektit ishte nxitja e zbatimit më të mirë të standardeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare 2021, rritja e transparencës dhe adresimi i informacioneve për zgjedhësit dhe rekomandimeve për institucionet përgjegjëse.
Zgjedhjet parlamentare 2021 u zhvilluan mbi bazën e Kodit Zgjedhor, si dhe reflektuan ndryshimet kushtetuese të korrikut 2020, si dhe ndryshimet ligjore pasuese në korrik dhe në tetor 2020. Procesi zgjedhor pati disa risi dhe elementë eksperimentalë si: mënyra e administrimit zgjedhor (krijimi i KQZ nga tri institucione përbërëse, të pavarura nga njëra tjetra), aplikimi i listës së hapur me një prag të lartë votash, aplikimi i votës preferenciale dhe i pragut elektoral 1%, aplikimi i pjesshëm i votimit elektronik, etj.
Bazuar në këto ndryshime dhe risi strukturore dhe ligjore, monitorimi i procesit zgjedhor synoi të adresojë çështjet prioritare publike përmes një sistemi “alert”, përmes të cilit ISP adresoi infografikë, deklarime, rekomandime apo video informuese e sensibilizuese ndaj KQZ dhe organeve të tjera të përfshira në procesin zgjedhor. Praktika e sistemit “alert” ishte unike në përvojën e deritanishme të monitorimeve zgjedhore dhe një mekanizëm, i cili në kushtet e rritjes së rolit të medias sociale në informimin publik, rezultoi efektiv dhe në tërësi u shoqërua me reagime pozitive nga institucionet përgjegjëse.
Stafi realizues i projektit përbëhej nga juristë të njohur, ekspertë të zgjedhjeve, të cilët kanë pasur përvojë të gjatë profesionale edhe në administrimin zgjedhor në 4-5 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe në monitorimin e proceseve zgjedhore. Pjesë e stafit ishin edhe ekspertë të komunikimit publik, si dhe stafi mbështetës administrativ i ISP, me përvojë në aktivitete të njëjta në zgjedhjet e mëparshme. Stafi realizoi një volum të madh pune në aspektin teknik, por edhe përmes prodhimit të materialeve cilësore informuese e sensibilizuese për publikun, adresimin e rekomandimeve të shumta për institucionet, prezantimin e vlerësimeve dhe sugjerimeve në nivele të larta, si në takime online me Presidentin e Republikës dhe në katër seanca konsultimi të Komisionierit Shtetëror të Zgjedhjeve me shoqërinë civile. Përfaqësues të ISP morën pjesë në debatet kryesore televizive, si dhe ishin pjesë e axhendës në takimet e zhvilluara në kuadër të zgjedhjeve me misionet ndërkombëtare monitoruese, përfshirë misionin e ODIHR/OSBE.
Gjetjet e këtij raporti dhe rekomandimet e ekspertëve të ISP do të vijojnë të mbeten pjesë e angazhimit të ISP edhe pas përfundimit të projektit, duke ndjekur shqyrtimin e tyre nga komisioni i ardhshëm i reformës zgjedhore në parlament, si dhe në aktivitetet vendimmarrëse të KQZ, të Prokurorisë dhe të organeve të tjera, përfshirë edhe atë të partive politike në të ardhmen.
ISP falënderon stafin e ambasadës së UK në Shqipëri për komunikimin profesional dhe efektiv, falënderon Komisionerin Shtetëror për bashkëpunimin, median për hapësirën e ofruar, si dhe kolegët e shoqërisë civile, që morën pjesë në aktivitetet tona dhe iu përgjigjën pozitivisht edhe pyetësorit të zhvilluar nga ISP lidhur me performancën dhe standardet zgjedhore.
Raporti i plotë mund të lexohet & shkarkohet këtu:
ISP Procesi zgjedhor 2021 – Për standarde më të larta dhe transparencë