Bashkia Kamëz është një prej bashkive me rritjen më të madhe të popullsisë gjatë viteve të tranzicionit. Për këtë arsye shërbimet e bashkisë ndaj qytetarëve dhe problematikat e përfaqësimit të komuniteteve brenda saj, si dhe treguesit e llogaridhënies dhe të transparencës publike janë e mbeten një sfidë e madhe. Ky është një prej konkluzioneve të nxjerra edhe në takimin e fundit që Instituti i Studimeve Politike zhvilloi me të rinjtë e gjimnazit “Isa Boletini”, në Paskuqan, Kamëz. Aktiviteti u bë në kuadër të projektit “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” mbështetur nga Lëviz Albania.
Gjatë takimit ekspertët e ISP-së, Ervin Karamuço dhe Alban Hoxha diskutuan me të rinjtë mbi problematikat rinore në kuadër të përfaqësimit dhe problematikat e qeverisjes vendore në përfundim të mandatit të parë qeverisës me ndarjen e re territoriale. Të rinjtë u interesuan për standardet e shërbimeve që duhet të ofrojnë bashkitë në çështjet sociale dhe arsimore, mbi praktikat e punësimit dhe transparencës, si dhe mbi mekanizmat që ata kanë në dispozicion për të pasur një përfaqësim më aktiv në vendimmarrjet lokale.
Në takim u theksua se legjislacioni i ri mbi qeverisjen vendore ofron standarde e kërkesa të larta në lidhje me pjesëmarrjen, transparencën dhe konsultimin publik, ndaj edhe roli i komuniteteve lokale, përfshirë të rinjtë, në këtë proces është i rëndësishëm. Gjithashtu u vijua me informim mbi elementë të veçantë, si dhe me prezantimin e të dhënave konkrete të gjetjeve të ISP në monitorimin e bashkisë Kamëz, në perceptimin e qytetarëve ndaj bashkisë, ndaj shërbimeve të saj, ndaj modelit të ri të qeverisjes lokale dhe ndaj sfidave të ardhshme.