Ligjet mbeten të paplota dhe të pazbatueshme nëse nuk zbatohen. Ky është përfundim logjik i praktikës ligjore dhe një tezë që duhet pasur në konsideratë kur ligjet hartohen, diskutohen, miratohen dhe botohen në Fletoren Zyrtare. Një numër i madh ligjesh vijojnë të mos gjejnë zbatim pikërisht sepse janë të paplota dhe se nuk janë shoqëruar me aktet nënligjore dhe masat e tjera administrative shtesë. Raste konkrete? ISP po kryen monitorimin e akteve ligjore dhe impaktit të mungesës ose vonesës në nxjerrjen e akteve nënligjore. Ekspertët e tij janë evidentuar një numër të madh aktesh që mungojnë dhe që i bëjnë ligjet të pazbatueshme, dhe për pasojë, që cenojnë ofrimin e të drejtave për qytetarët dhe standardet e shtetit të së drejtës në vend.
Në vijueshmëri ISP ka publikuar akte nënligjore që mungojnë dhe ligje që janë ende të pazbatueshme pikërisht edhe për këtë arsye. Sot po ndajmë me ju tre raste të tjera;
– Referuar raportit të KLSH rezulton se p.sh, ligji 9774/2017 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” nuk është jetësuar në praktikë. KLSH është i qartë në identifikimin e shkakut: masat e marra nga MTM dhe MSHMS si dhe Bashkia Tiranë për menaxhimin e zhurmave mjedisore në vendin tonë nuk kanë qenë efektive. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duke mos miratuar një sërë udhëzimesh ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor mbi zhurmat mjedisore me akte nënligjore edhe pse kanë kaluar 12 vite që nga krijimi i ligjit kryesor të zhurmave. Bashkia Tiranë nuk ka hartuar politika të përshtatshme lidhur me menaxhimin e zhurmave mjedisore. Sipas ligjit (neni 35) do të duhej që aktet nënligjore në zbatim të tij të kishin dalë shumë vite më parë. Dhe nuk janë pak, por janë tre akte të Këshillit të Ministrave dhe rreth 10 akte në përgjegjësi të ministrit përgjegjës.
– Më 2018 Kuvendi miratoi ligjin 110/2018 “Për noterinë”. Aktet nënligjore do të duhej të ishin të miratuara brenda 9 muajsh, pra në shtator 2019. Nga verifikimi i publikimeve zyrtare rezultojnë se edhe pas një viti nga afati mungojnë ende një numër aktesh nënligjore, si p.sh, rregullat e reja për punësimin e kandidatëve për noterë, përcaktimi i numrit të përgjithshëm të noterëve dhe zëvendësuesve të tyre, rishpërndarja sipas bashkive dhe rregullat për përballimin e shpenzimeve dhe ushtrimin e aktivitetit të tyre në rastet e delegimit nga një territor bashkie në një tjetër, shpallja në Fletoren Zyrtare të vendeve vakante dhe të procedurave për vendet vakante, miratimi i standardeve dhe metodologjisë në inspektimin e veprimtarisë së noterëve, përcaktimi i masës së shpërblimit të ekspertëve të pavarur, hartimi e miratimi i programit vjetor të inspektimit të noterëve, etj.
– Më 1998 është miratuar ligji 8328 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” dhe prej atëherë ende nuk është nxjerrë akti nënligjor i përcaktuar në nenin 39 të tij, sipas të cilit Këshilli i Ministrave miraton vendimin për kriteret e shpërblimit të punës së të dënuarve dhe të paraburgosurve, etj, – akte që sipas ligjit, duhej të ishin miratuar brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij. Po ashtu Ministri i Drejtësisë ngarkohej për të nxjerrë së paku katër urdhra përkatës brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, nga të cilët rezulton se jo të gjithë janë miratuar. Avokati i Popullit vazhdimisht ka ngritur shqetësimet e tij për mungesën e akteve nënligjore lidhur me këtë ligj, por ende nuk problematika nuk ka marrë zgjidhje ligjore.
ISP