Bazuar në detyrimet e Shqipërisë në kuadër të bisedimeve për anëtarësim në BE, nga angazhimet që burojnë nga vendimi “Për miratimin e udhërrëfyesit për funksionimin e Institucioneve demokratike”, si dhe nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, Instituti i Studimeve Politike (ISP) i është drejtuar me një kërkesë dhe sugjerim, Kuvendit të Shqipërisë. Letra drejtuar kryetarit të Kuvendit, kryetarëve të grupeve parlamentare dhe anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve ofron tri rekomandime:
- Rekomandimi I. Ngritja sa më parë e Komisionit të Posaçëm, respektimi i standardit gjithëpërfshirës, bashkëdrejtus dhe transparent. Në dallim nga përvoja negative e legjislaturës së kaluar, vlerësojmë si domosdoshmëri një rol më aktiv të Kuvendit për funksionimin e plotë dhe efektiv të Komisionit për të mundësuar rezultate konkrete në përputhje me praktikat e mira të komisioneve të posaçme dhe standardeve të cituara në opinionet e Komisionit të Venecias.
- Rekomandimi II. Rishikimin e emërtimit dhe zgjerimin e objektit të komisionit, për të pasur përputhshmëri me problematikat e mësipërme. Kufizimi i komisionit vetëm në çështje zgjedhore dhe në rekomandimet e ndërlidhura me zgjedhjet 2023 dhe 2025 mendojmë se janë të pamjaftueshme për përmbushjen e këtyre pritshmërive.
- Rekomandimi III. Në dallim nga praktikat e mëparshme të komisionit, sugjerojmë krijimin e tre nëngrupeve që trajtojnë paralelisht problematikat; a) për legjislacionin mbi partitë politike, b) për reformën zgjedhore dhe c) për financimin politik / elektoral në Shqipëri. Kjo do të krijonte hapësirë më të madhe diskutimi institucional e publik, adresim më konkret të propozimeve dhe pjesëmarrje më aktive edhe të ekspertizës që ofrohet nga shoqëria civile dhe partnerët tanë ndërkombëtar mbështetës.
ISP shprehet në letër se ka pasur rastin t’i shpreh këto qëndrime edhe në konsultimet e fundit të zhvilluara në muajin korrik 2025 në seancën dëgjimore me 23.07.2025 me Komisionin e Posaçëm Parlamentar (KPP), i cili pati iniciuar diskutim lidhur me ligjin “Për financimin e partive politike”, si dhe në tryezën jopublike me partitë politike parlamentare, KQZ e partnerët ndërkombëtarë më 23.06.2025.
Aktualisht, Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) është angazhuar në zhvillimin e disa tryezave konsultative me partitë politike, ekspertë dhe shoqërinë civile, të cilat kanë për qëllim identifikimin dhe adresimin e çështjeve më prioritare për ndërhyrje dhe rekomandime për Ligjin për Partitë Politike/Kodit Zgjedhor. Nisma mbështetet financiarisht nga qeveria britanike / ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë. Tryeza e parë me partitë politike parlamentare u mbajt më 10.10.2025 në Tiranë. Propozimi ynë është edhe një prej produkteve të kësaj tryeze.



