Situata e COVID-19 ndikoi ndjeshëm në aktivitetin shtetëror e shoqëror, përfshirë edhe në axhendën e parlamentit, qeverisë dhe institucioneve të tjera, nxori në pah edhe nevojën për një vëmendje më të madhe ndaj nevojës për një sistem të plotë dhe funksional të nxjerrjes së akteve ligjore dhe nënligjore, për jetësimin integral të ligjeve dhe për evitimin e çdo situate dhe rrethanave që sjell direkt ose indirekt pamundësinë e zbatimit të ligjit.
Monitorimi nga ISP të impaktit të mungesës së akteve nënligjore ka treguar se një numër i madh ligjesh të miratuara vitet e fundit vijojnë të mos jenë të plotësuara me aktet nënligjore që çojnë në jetësimin real dhe të plotë të tyre. Mungesa e akteve nënligjore ndikon jo vetëm në nivelin e shtetit të së drejtës, por edhe në të drejtat e njeriut për kategori të ndryshme sociale. Bashkë me studentë të përzgjedhur nga dy universitete ekspertë të ISP diskutuan ditët e fundit mbi problematikët e impaktit të akteve nënligjore dhe rëndësinë e ligjeve në një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës.
Debati me studentët është pjesë e një projekti monitorues dhe sensibilizues të ISP me mbështetjen financiare nga Programi për Demokracinë, Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë.