Shqipëria konsiderohet një prej vendeve ku ka një hendek të madh midis ligjeve të miratuara dhe nivelit të zbatueshmërisë së tyre. Një prej faktorëve ndikues është mungesa e akteve nënligjore dhe e mekanizmit të jetësimit të ligjit në terma konkretë. Për të kryer monitorimin e mungesës së akteve nënligjore dhe impaktin e tyre në nivelin e qeverisje vendore e qendrore, Instituti i Studimeve Politike po angazhohet me mbështetjen financiare nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Pjesë e këtij angazhimi janë edhe debatet e hapura me universitete publike e jopublike, fakultete juridike dhe ekspertë të fushës.
Stacioni i radhës i ISP ishte Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin “Luarasi” në Tiranë. Në debatin e parë fokusi ishte në gjendjen e akteve nënligjore që lidhen me ligjin organik të Arsimit të Lartë në RSH dhe impaktin e tyre për universitetin, kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë. Referues në takim ishte Prof. Altin Shegani, Prof. Ervin Karamuço dhe dekania e Fakultetit Juridik në këtë universitet, Prof. Rezana Konomi. Gjatë debatit me ekspertët, pedagogë dhe studentë pjesëmarrës ishin mjaft aktiv në shkëmbimin e opinioneve mbi problematikat e sfidat e arsimit të lartë. Ata diskutuan mbi impaktin që ka pasur ligji i arsimit të lartë, shqetësimet e ndryshme të krijuara nga vonesa apo mungesa e akteve nënligjore rregullatore në zbatimin integral të këtij ligji, si dhe dhanë vlerësime profesionale në tërësi mbi sfidat e arsimit të lartë dhe kuadrin ligjor në funksion të tyre.
Sipas të dhënave të stafit monitorues të ISP ligji 80/2015 mbi arsimin e lartë parashikonte nxjerrjen e akteve nënligjore brenda 9 muaj nga miratimi, pra në maj-korrik 2016. Megjithatë monitorimi tregoi se pjesa më e madhe e akteve kanë dalë shumë më vonë sesa afati ligjor i parashikuar dhe aktualisht pas 4 vitesh rreth 20-25% e akteve nënligjore nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, etj, ende nuk janë miratuar ose janë miratuar vetëm pjesërisht.