Këshilli i Ministrave vendosi me 10.05.2019 ngritjen e Task Force “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2019”. ISP e përshëndet vendimin, i cili është praktikë e ndjekur në forma të ndryshme nga të gjitha qeveritë e mëparshme në prag të zgjedhjeve 2013, 2015, 2017. Vendimi si akt institucional është pozitiv sepse përmbush një prej detyrimeve të qeverisë dhe një prej standardeve formale për zgjedhje të ndershme.
Instituti i Studimeve Politike, si organizatë me përvojë në monitorimin e zgjedhjeve dhe që prej muajsh vijon të monitorojë përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, duke e analizuar VKM dhe situatën parazgjedhore në të gjithë elementët e saj, gjykon gjithashtu se:
Vendimi i KM për Task Force vjen i vonuar dhe i ndikuar nga nevoja për të përmbushur vetëm formalisht përgjegjësitë e zgjedhjeve. Fushata zgjedhore nis me 30 maj, por të gjithë e dimë se fushata ka muaj që ka nisur, vetë partia në qeveri ka shpallur publikisht kandidatët e saj në shumë bashki dhe pjesa politike e shtetit është prej muajsh në fushatë elektorale. Ndaj, monitorimi vetëm 30 apo 45 ditor i fushatës, nuk përbën realisht monitorim të të gjithë procesit elektoral, por vetëm të fazës përmbyllëse të tij. Monitorimi serioz duhet të kishte filluar ditën kur Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin për datën e zgjedhjeve lokale.
ODIHR/OSBE në rekomandimin nr.3 të vitit 2017 kërkonte që qeveria “duhet të analizojë efektshmërinë e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit. Ajo duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes nëse vihet në dijeni për çështje të tilla në periudhën para dhe pas-zgjedhore. Kjo strukturë mund të ngrihet edhe në nivel vendor në një kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të radhës”. Me VKM e miratuar nga qeveria me 10 maj 2019, pothuajse asnjë prej kërkesave të këtij rekomandimi nuk janë përmbushur.
Nga përvoja e vitit 2013, 2015, 2017 nuk kemi pasur asnjë rast zyrtar kur denoncimet e Task Force kanë përfunduar në prokurori, janë hetuar dhe personat përgjegjës janë përballur me masat penale ligjore. As modeli i qeverisë me ministra teknikë nuk rezultoi efektive në këtë drejtim. Për pasojë, Task Force e 2019 duhet të kishte propozuar instrumente të besueshme se këtë herë shkelësit e ligjit do të përballeshin me të, pra mekanizma funksionale e të besueshëm të garancisë për zgjedhje të ndershme, – mekanizma që mungojnë dhe që Task Force nuk i merr përsipër.
ISP ka denoncuar disa dhjetëra raste në letërkëmbim me KQZ dhe me institucionet e shtetit, përfshirë kryeministrinë, për shkelje të ligjit për burimet shtetërore në funksion të fushatës elektorale, por deri tani reagimi i ekzekutivit ka qenë refuzues. Shembulli më tipik është portali www.shqiperiaqeduam.al i cili është portal zyrtar i qeverisë dhe ka si logo një miting elektoral të PS, disa dhjetra flamuj të saj në sfond, etj, dhe portali vijon të jetë funksional në shumicën e zyrave shtetërore përfshirë në kryeministri.
Task Force duhet të përfshinte në proces monitorimi jo vetëm ditët e mbetura deri në konsumimin e dekretit të zgjedhjeve, por edhe hetime të pavarura dhe paralele për emërimet që janë bërë në administratën publike gjatë së paku 3 muajve të fundit, për kontratat e përkohshme, për punësimet me programe të ndryshme, të cilat në thelb kanë tërheqjen për efekt elektoral të më shumë se 2000 të rinjve vetëm në periudhë elektorale. Tradicionalisht pas zgjedhjeve nuk ka pasur dhe as nuk ka punësime të tilla dhe as programe të tilla indirekt punësimi politik.
Task Force mund e duhet të marrë në konsideratë edhe faktin se një pjesë e madhe e komisionerëve të caktuar nga subjekti i vetëm elektoral i deritanishëm, janë punonjës në nivele të ndryshme të administratës publike, me ose pa statusin e nëpunësit civil, dhe që normalisht, pavarësisht hapësirës së Kodit Zgjedhor, janë të deleguar partiakë, të besuar partiakë dhe të motivuar politikisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe shumicën e atyre që kanë aplikuar si individë për të zëvendësuar komisionerët e opozitës në zgjedhje.
Koncepti se qeveria kontrollon qeverinë në zgjedhje, është i pamjaftueshëm dhe mund të rezultojë i pabesueshëm. Task Force ka krijuar një mekanizëm përbërje të plotë ekzekutive, me tre zyrtarë të tjerë që kanë produkt i vendimmarrjes të mazhorancës dhe me katër zyrtarë që përfaqësojnë institucione. Brenda formulës së saj nuk ka asnjë mekanizëm përfaqësimi të grupeve të organizatave të shumta të shoqërisë civile dhe as hapësirë për shprehjen e mendimeve / adresimeve të tyre. Bazuar në modelet e vendeve të tjera, që e kanë aplikuar vite përpara Shqipërisë këtë model, kjo çështje duhej të konsiderohej.
Qeveria miratoi gjithashtu vendimin për “pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për periudhën 1 deri 30 qershor 2019”. Masa është formalisht pozitive, duhet përshëndetur, por nuk pritet të ketë efekt në standardet dhe cilësinë e procesit zgjedhor. Shumica absolute e praktikave të prokurimeve janë bërë ose bëhen përpara datës 1 qershor dhe se pezullimi gjatë 30 ditëve nuk përbën zgjidhje efektive për ndalimin e abuzimeve në fushatë.
Së fundi, ISP garanton se mbetet aktive në monitorimin e procesit zgjedhor dhe sidomos në monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale, mbetet e hapur për komunikim të vazhdueshëm me KQZ, institucionet, Task Force dhe cdo mekanizëm tjetër në funksion të standardit të zgjedhjeve.
ISP – DEKLARIM PER KRIJIMIN DHE PROBLEMATIKAT E TASK FORCE MBI ZGJEDHJET