Prokurori i Përgjithshëm, SPAK, KQZ dhe organet e tjera ligjzbatuese në lidhje me zgjedhjet kanë deklaruar dhe premtuar vazhdimisht se do të trajtojnë me prioritet çdo referim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor. Prokurori i Përgjithshëm, përmes qarkores “Për masat administrative dhe procedurale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore 2023″ ka premtuar se drejtuesit e prokurorive dhe prokurorët do të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate optimale, çdo referim dhe/ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor, kryerje të hetimeve proaktive, dhe/ose përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit sipas ligjit, si dhe rritjen e intensitetit të hetimeve për këto grupvepra penale.
Moto e KQZ “krimi zgjedhor është vepër penale dhe dënohet me burg” është pjesë e deklarimeve institucionale dhe videove informuese, por procesi aktual i zgjedhjeve është test nëse këto premtime do të mbahen. Legjislacioni mbi krimet zgjedhore është i plotë dhe i qartë, koha që të kalohet nga premtimi për drejtësi, tek drejtësia funksionale.
Instituti i Studimeve Politike (ISP), organizatë e cila po monitoron procesin zgjedhor, vendimmarrjet e KQZ, të Prokurorisë dhe të organeve të tjera të lidhura me zgjedhjet, sjell në vëmendje faktin se ditët e fundit media ka publikuar raste flagrante, kur zyrtarë të lartë, përfshirë titullarë të lartë ekzekutivë, kryetarë bashkie dhe zyrtarë të lartë të administratës, kanë ushtruar presion mbi qytetarët lidhur me votën dhe bindjet e tyre politike, kanë shantazhuar vartësi e votues, kanë detyruar punonjësit të marrin pjesë në aktivitete elektorale, si dhe kanë shantazhuar me deklarata publike votuesit e mundshëm kunder, duke paralajmëruar se vota e tyre do të ndëshkohet me braktisje shtetërore.
ISP vlerëson se Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, për institucione të besueshme dhe funksionale, si dhe për ndarje ligjore nga praktikat abuzive të së kaluarës. Shqipëria është në bisedime për anëtarësim në BE dhe duhet të sillet si vend potencial anëtar në BE.
Mbi këtë bazë, ISP apelon institucionet ligjzbatuese të hetojnë çdo rast flagrant të raportuar në media për të dëshmuar se reforma në drejtësi funksionin, dhe se titullarët e këtyre institucioneve janë realisht janë të aftë dhe të gatshëm të jetësojnë standardet e premtuara ligjore të shtetit të së drejtës. Fushata sensibilizuese e KQZ, urdhrat dhe udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm, paralajmërimet e SPAK dhe Task – Force nuk do të kenë vlerë dhe as impakt pozitiv mbi sfidën për standarde zgjedhore nëse heshtet, injorohen dhe nuk hetohen raste flagrante të abuzimit me votën, ligjin dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve. Hetimet duhet të jenë prioritare, në kohë dhe me akte ligjore përpara ditës së votimit, për t’i dhënë fund praktikave negative të shtyrjes artificiale të hetimeve deri në amnistimin periodik të krimeve zgjedhore. Koha e pandërshkueshmërisë ndaj krimeve zgjedhore dhe korrupsionit elektoral duhet të marrë fund.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)