Instituti i Studimeve Politike (ISP), duke rikonfirmuar solidaritetin e plotë me përpjekjet institucionale dhe publike të shtetit e shoqërisë shqiptare për të kapërcyer gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar pas tërmeteve të fundit, si dhe duke vlerësuar se forcimi i shtetit të së drejtës, ligjshmërisë, llogaridhënies, transparencës, përgjegjësive publike dhe kulturës qytetare janë e mbeten zgjidhjet afatgjata për situata të tilla, – gjen rastin të shpreh publikisht shqetësimin e thellë për disa akte politike dhe shtetërore në drejtim të cenimit dhe kufizimit të lirisë së medias, lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut.
Vendimi i shpallur fillimisht nga zyrtarë të lartë politikë dhe më pas i zbatuar nga Policia e Shtetit dhe instrumente të tjera shtetërore për ndalim, arrestim apo penalizim administrativ të një portali online, të një studenti dhe së fundi edhe të dy aktivistëve të shoqërisë civile, janë shprehje e devijimit nga praktikat demokratike të qeverisjes dhe tregues i mungesës së respektit për parimet kushtetuese që lidhen me të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes. Në tri rastet kemi të bëjmë me media sociale (facebook) dhe autoritetet kishin zgjidhje alternative, – sqarimi i lajmit, përgënjeshtrimi apo raportimi në serverin e rrjetit social për heqjen e tij, – megjithatë ato zgjodhën reagimin absurd përmes keqpërdorimit të autoritetit shtetëror dhe Policisë së Shtetit. Po ashtu, sulmet e përsëritura verbale dhe institucionale të kryeministrit ndaj medieve dhe gazetarëve, përpjekja për inkriminimin kolektiv të tyre dhe për denigrim të raportimeve mediatike përbën gjithashtu një zhvillim shqetësues, devijim nga praktikat demokratike dhe kërcënim për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.
ISP vlerëson se Shqipëria nuk ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme sipas nenit 170 dhe 175 të Kushtetutës së Shqipërisë, por është në gjendje të pjesshme të jashtëzakonshme sipas neneve 39-52 të ligjit 45/2019 për mbrojtjen civile. Kontributi informativ i medias prej datës 26 nëntor e në vijim në tërësi ka dëshmuar vlerë të çmuar profesionale, kurajë dhe ndikim pozitiv në informimin e publikut, sensibilizimin për gjendjen, ndihmën ndaj qytetarëve të prekur, transparencën dhe rritjen e solidaritetit shoqëror.
Raste të veçuara të raportimeve të lajmeve të pakonfirmuara nuk përbëjnë devijim nga ky parim e mision i medias dhe se nuk ka prova serioze, siç provoi edhe vendimmarrja e gjykatës, të jenë bërë për të krijuar panik apo për motive kriminale. Nga ana tjetër, situata e ditëve të fundit nxori në pah faktin se shumë premtime, deklarime e garanci të autoriteteve qendrore e vendore kanë qenë fiktive dhe patën pasoja negative për qytetarët, shtetin e shoqërinë.
Në rastet e fatkeqësive, mediat dhe organet e tjera të informimit publik, të përcaktuara me ligj, janë të detyruara t’u referohen burimeve zyrtare për njoftime lidhur me numrin e viktimave, listën e qytetarëve të prekur apo të dëmtuar, si dhe për parashikime të mëtejshme për mundësinë e ndodhjes së ngjarjeve të tjera, duke shmangur transmetimin e informacioneve sensitive dhe duke evituar panikun publik.
ISP vlerëson se nëse autoritetet përgjegjëse do të kishin përmbushur me cilësi detyrimet e tyre ligjore, siç janë, krijimi i shtabit të emergjencës, informimi zyrtar i vazhdueshëm, koordinimi institucional, funksionimi i linjës së alarmit, masat e parandalimit të hershëm, etj, të parashikuara qartësisht në ligj, disa prej lajmeve e raportimeve kritike të medias do të kishin qenë më të plota. Zyrtarisht edhe një javë pas tërmetit nuk ka ende të dhëna të plota dhe transparente zyrtare mbi pasojat e tërmetit, ndërkohë që media ka publikuar raste të shkeljes së ligjit edhe nga zyrtarë përgjegjës për ligjin, – një kontribut që dëshmon dobinë e saj edhe në situata të tilla emergjente.
Burimi i vetëm zyrtar i informimit sipas autoriteteve, ERTV, nuk është institucion, nuk është ent shtetëror, nuk është burim zyrtar dhe në thelb përbën një mekanizëm politik, partiak dhe propagandistik, i cili në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk mund të zëvendësojë median, të drejtat, misionin dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese e publike.
Së fundi, ISP e sheh situatën aktuale edhe si alarm e sinjal paralajmërues se të njëjtat praktika abuzive do të aplikohen nëse merr jetë nisma ligjore për paketën “anti-shpifje” që është në Kuvend. Gjithashtu ISP shpreh dyshimin se përpjekjet për denigrimin dhe de-legjitimin e medias janë të ndërlidhura me përpjekjet për të evituar llogaridhënien dhe për të përmbushur standardet e transparencës nga organet shtetërore, sidomos ato ekzekutive. Më këtë rast ISP vlerëson se ngjarje të tilla si ajo e 26 nëntorit 2019, pas tejkalimit të krizës emergjente, kërkojnë trajtime të thelluara, hetime të plota, përgjegjësi të qarta dhe reflektim serioz institucional, ligjor dhe administrativ, ku edhe çdo zyrtar përgjegjës në çfarëdo niveli të vendimmarrjes politike apo ekzekutive duhet përballur me ligjin.
DEKLARATA E PLOTË MUND TË LEXOHET & SHKARKOHET KËTU: