Në vitin 2015 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit. Gjatë 10 viteve ligji pati efekte pozitive në largimin nga institucionet qendrore, veçanërisht nga Kuvendi, të individëve me të shkuar kriminale si pasojë e presionit të opinionit publik, faktorit ndërkombëtar dhe opozitës. Dhjetëra deputetë, kryetarë bashkie, si dhe qindra këshilltarë lokalë dhe punonjës të administratës publike u larguan nga funksionet shtetërore si pasojë e ligjit të dekriminalizimit.
Paralelisht, reforma në drejtësi me institucionet e reja të ngritur gjatë këtyre viteve kontribuoi në parandalimin apo intensifikimin e luftës kundër korrupsionit në nivele të larta të politikës. Nga 2019 – 2024 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) procedoi 1809 çështje penale që përfshijnë 2496 persona, midis të cilave dy ish-kryeministra, disa ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë që kanë shënjuar tranzicionin politik të Shqipërisë në tre dekada si dhe ministra, ish-ministra, kryetarë bashkie, drejtorë të përgjithshëm, politikanë me eksperiencë.
Pavarësisht progresit dhe efektit të dekriminalizimit, vetingut në drejtësi dhe SPAK korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të përbëjnë ende një shqetësim serioz për vendin. Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2024 nënvizon: “Korrupsioni vazhdon të shihet si një shqetësim serioz.” Personat me rekorde korruptive vijojnë të ndikojnë në vendimmarrjen politike në mënyrë formale dhe informale duke vazhduar të jenë në pozicione vendimmarrëse si dhe të lejojnë mbështetje për kandidatë të caktuar për poste publike në fushatat zgjedhore. Një pjesë e mirë e akteve vetërregulluese në partitë politike, institucionet përfaqësuese mbetën formale dhe për rrjedhim pa efektin e kërkuar integral nga ligji i dekriminalizimit. Po ashtu, nga anketimi i realizuar nga Instituti i Studimeve Politike del se “në masën mbi 80% e qytetarëve pohojnë se parlamenti ka deputetë të inkriminuar, 85% mendojnë se parlamenti ka deputetë të korruptuar dhe 84% mendojnë se ka deputetë në konflikt interesi.” Në pyetjen se kur duhet të japë dorëheqje deputeti të po i njëjti studim “qytetarët dorëheqjen tij/saj e lidhin më tepër me veprimtari të cilat shkelin ligjin gjatë procesit zgjedhor si: blerja e votave 84%, kur janë nën hetim 82%, kur nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre dhe kur miratojnë ligje në konflikt interesi të dyja në masën 79%, kur i sekuestrohet pasuria familjare 67% dhe kur akuzohet për skandale 65%.”
Në ketë frymë Komisioni Evropian referuar zgjedhjeve të 11 Maj 2025 nënvizon nevojën për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë për të adresuar kulturën e pandëshkueshmërisë, ku përfshihen dhe rastet e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve. Ndërkohë, edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e konsideron hetimin e krimit zgjedhor si një çështje të rëndësishme për t’u trajtuar, duke e përfshirë atë në një ndër rekomandimet për t’u konsideruar veçanërisht nga SPAK në “Rezolutën për Vlerësimin e Veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për Vitin 2023.” Në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe rekomandimit të Kuvendit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar parashikon një qasje strategjike për të parandaluar dhe hetuar veprat penale nën juridiksionin e saj gjatë zgjedhjeve për Kuvendin 2025, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. “Strategjia synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore.” Korniza ligjore për hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri, përcakton juridiksionin e posaçëm të Prokurorisë së Posaçme dhe institucioneve të tjera përkatëse me qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Gjithashtu, Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka prezantuar Hartën e Riskut Elektoral (HRE) e cila ka funksion paralajmërues dhe orientues, për të prezantuar vlerësimet dhe risqet e mundshme elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2025. Harta paralajmëron zonat me potencial tensioni elektoral dhe ndihmon në parandalimin e çdo forme të abuzimit me votën dhe të cenimit të standardeve. Sistemi i vlerësimit dhe krijimit të HRE është aplikuar që prej zgjedhjeve të vitit 2015, si dhe në tërësi ka rezultuar i saktë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, faktor i rëndësishëm në këtë proces janë partitë politike.
- Në këtë kuadër, është thelbësore që partitë të zbatojnë me rigorozitet standarde të larta etike dhe të kryejnë verifikime të hollësishme të figurës së kandidatëve, duke iu përmbajtur jo vetëm kritereve ligjore, por edhe parimeve të përgjegjshmërisë publike dhe transparencës. Mirëpo, partitë politike për arsye pragmatiste, mungesë etike, funksionim i institucioneve ligjzbatuese anemike, injorimin e vendimeve gjyqësore dhe klasifikimi i tyre si të instrumentalizuara politikisht kanë bërë të mundur që edhe në këto zgjedhje të ketë raste të përfshirjes së kandidatëve me të shkuar kriminale apo lidhje kandidatësh me grup kriminale.
Pavarësisht progresit në procesin e dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve shtetërore, jetësimi gjithëpërfshirës i parimeve të dekriminalizimit mbart akoma plot sfida.
- Së pari, partitë politike në tërësi kanë bërë pak për integrimin konkret të praktikave parandaluese, duke u distancuar apo duke vendosur praktiken e dorëheqjes ne rast akuze nga organet e drejtësisë deri në sqarimin e akuzës apo sigurimin e statusit i pafajshëm. Interesat e ngushta politike, kapitalizimi i lidhjeve informale me individë të korruptuar, klientelizmi dhe sistemi i patronazhit në emërimin e funksionarëve publikë ka penguar jetësimin e praktikave të mira ndëshkuese me natyrë morale dhe politike në jetën politike.
- Së dyti, procedimi dhe rënia eventuale në rrjetën e dekriminalizimit të zyrtarëve të niveleve të larte ka bërë të mundur ashpërsimin e retorikës politike kundër institucioneve të drejtësisë. Edhe praktika të njëanshme politike, siç është ngritja e Komisionit te Përhershëm parlamentar për monitorimin e institucioneve antikorrupsion shikohen me shumë shqetësim nga ekspertë vendorë si mekanizëm frenues i punës së SPAK.
- Së treti, partitë politike vazhdojnë të mos zbatojnë me rigorozitet standarde të larta etike dhe të kryejnë verifikime të hollësishme të figurës së kandidatëve, duke iu përmbajtur jo vetëm kritereve ligjore, por edhe parimeve të përgjegjshmërisë publike dhe transparencës. Ata, për arsye pragmatiste, mungesë etike, funksionim i institucioneve ligjzbatuese anemike, injorimin e vendimeve gjyqësore dhe klasifikimi i tyre si të instrumentalizuara politikisht ka bërë të mundur që edhe në këto zgjedhje të mos mungojnë rastet e përfshirjes së kandidatëve me të shkuar kriminale apo lidhje kandidatësh me grup kriminale.
- Së katërti, në shumë demokraci funksionale, dorëheqja ose tërheqja nga kandidimi është një refleks i menjëhershëm etik në momentin që një individ vendoset nën hetim për çështje serioze, si: shpërdorimi i detyrës, korrupsioni apo abuzimi me fondet publike. Kjo praktikë synon të mbrojë besimin e publikut dhe integritetin e institucioneve, duke vendosur një standard të qartë të llogaridhënies. Në Shqipëri, kjo kulturë mungon pothuajse plotësisht. Jo vetëm që të dyshuarit për vepra të rënda nuk tërhiqen, por shpesh mburren me “qëndresën” e tyre ndaj drejtësisë, duke paraqitur hetimet si pjesë të një “sulmi politik”.
- Së pesti, në shumë raste, kandidatët nën hetim nga organet e drejtësisë marrin përkrahje nga partitë politike, që shpesh u shërbejnë si mburojë, në vend që t’i largojnë për të ruajtur pastërtinë morale të përfaqësimit. Kjo dëmton rëndë besimin qytetar në demokraci dhe zgjedhje. Mungon modeli i sjelljes së partitë politike në Shqipëri për t’u distancuar ndaj çdo individi që është objekt i hetimit nga ana e organeve të akuzës deri në sqarimin e pozicionit të tij/saj.
Ky raport realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike” të mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë. Projekti zbatohet në një koncorsium i drejtuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ). Pikëpamjet e shprehura në këtë raport janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe e Institutit të Studimeve Politike (ISP).
Raporti i plotë nuk është publik. Një përmbledhje e shkurtër në shqip dhe anglisht mund të lexohet këtu: