Detyrimi ligjor
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) verifikon cdo vit deklarimet e të ardhurave dhe rastet e konfliktit të interesit në institucione, përfshirë edhe në parlament dhe në qeveri. Përgjegjësi konkrete kanë edhe institucione të tjera si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisionerët, etj, të cilat kanë rol thelbësor në luftën ndaj korrupsionit.
Problemi
Raportet periodike të këtyre institucioneve në parlament dhe në publik nuk ofrojnë informacion të plotë mbi individë konkretë që kanë bërë shkelje ligjore dhe që janë penalizuar ose këshilluar administrativisht. Gjithashtu nuk ka informim të vazhdueshëm të publikut mbi ecurinë e proceseve ankimore në raste të tilla shkeljesh dhe as për rastet e hetimit të thelluar në gjendje të konfliktit të interesit.
Zgjidhja
Secili prej institucioneve, midis interesit publik të transparencës dhe sjelljes formale “politikisht korrekt”, duhet të zgjedhë interesin publik. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që shkelin ligjin duhet të jenë publikë, institucionet duhet të ndjekin në mënyrë periodike rekordet e tyre financiare dhe ligjore, si dhe kultura e paprekshmërisë duhet të marrë përgjigje refuzuese përmes transparencës, llogaridhënies dhe drejtësisë.
Instituti i Studimeve Politike po zbaton projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i cili mbështetet financiarisht nga NED (National Endowment for Democracy).