Baza ligjore në fuqi? Ligji “Për partitë politike” përcakton se “partitë janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve” dhe se organizimi i brendshëm i tyre duhet të jetë në përputhje me parimet demokratike. Zgjedhjet në partitë politike, legjitimiteti përfaqësues dhe demokracia e brendshme janë parakushte për integritet, transparencë dhe llogaridhënie.
Problematika e konstatuar? Pas më shumë se dy vitesh sistemi gjyqësor i dha zgjidhje konfliktit mbi legjitimitetin e përfaqësimit në partinë kryesore politike në opozitë. Rasti tregoi sa i brishtë është legjislacioni mbi partitë politike dhe pasojat që sjell mungesa e standardeve të gjithëpranuar zgjedhore dhe e demokracisë së brendshme te partitë politike.
Rekomandime për ndërhyrje? Reformimi i legjislacionit mbi partitë politike është prioritet afatgjatë. Në periudhë afatshkurtër KQZ dhe KLGJ me marrëveshje mund të sigurojnë një Regjistër më transparent dhe të besueshëm të partive politike. Paralelisht, aktet rregullatore të vetë partive politike duhet të reformohen duke ofruar mekanizma garantues të demokracisë së brendshme, si dhe parandalimin ose zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ky infografik është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.