Partitë politike shpesh reflektojnë një imazh të caktuar që mund të lidhet pak me përkatësinë e tyre ideologjike, grupet që i votojnë etj. Në vende para-politike si ky i yni në fakt debati shpesh është primitiv dhe u përqendruar te personat apo interesat e drejtpërdrejta, edhe për faktin se partitë politike sillen kryesisht si parti karizmatike apo klienteliste dhe jo si parti programatike. Dhe kjo reflektohet edhe në brand-in apo imazhin që përcjell secili formacion politik. Nuk dihet për shembull se çfarë e diferencon Partinë Social-Demokrate nga ajo e Demokracisë Sociale, nga Partia Agrare-Ambientaliste apo vetë Partia Socialiste kur vjen puna te ekonomia apo politikat e mbrojtjes, ato të arsimit apo shëndetësore. Po kaq konfuze është situata edhe në kampin tjetër ku ka pak diferencë në perceptimin e përgjithshëm se ku ndryshojnë në çështjet e sigurisë kombëtare apo të taksimit, të politikës së jashtme apo të bujqësisë partitë opozitare si Partia Demokratike nga ajo Republikane, PDIU apo Partia e Lirisë. Shpesh se nuk kanë program të qartë, ose e kanë jo koherent, ose të kopjuar keq dhe pa lidhje me problematikat reale, ose nuk kanë artikuluesit e duhur.
Pas rreth tre dekadash pluralizëm politik, Shqipëria është ende larg modelit ‘polycratic’ të politologut Robert Dahl apo kritereve formale dhe të sipërfaqshme të Schumpeterit që definojnë një shtet demokratik duke u nisur thjesht nga rregulla procedurale të reflektuara kryesisht në legjislacion. Ndërsa jemi me vite drite larg konceptit të ‘demokracisë pjesëmarrëse’ që bazohet në lirinë, drejtësinë, solidaritetin dhe tolerancën, vlera sa individuale, aq edhe komunitare.
Nga ana tjetër, në mungesën e elementëve të kontrollit, si moral, ashtu dhe procedurial në shoqëri dhe jetën publike, kur pushteti shpesh konceptohet më tepër si mjet për arritjen e qëllimeve konjukturalë të grupimeve të caktuara të interesit dhe ku shpesh debati personalizohet për t`i ikur thelbit, cilësia e përfaqësimit është bjerrë ndjeshëm. Debati personalizohet në vend që të përqendrohet te përfaqësimi i grupeve shoqërore dhe interesave publikë. Modelet pozitive janë të munguara, ashtu sikundër propozimet për politika publike. Natyrisht që të kesh këtë të fundit, pikënisja është qartësia dhe diferencimi ideologjik, pra përplasje idesh që reflektohet në programet e partive politike, gjë që ende nuk ka ndodhur në Shqipëri.
Krejt ndryshe nga debati i nisur qysh para 2-3 dekadave në vendet perëndimore për mekanizma politikë-bërës përtej së majtës dhe të djathtës në vende që i kishin konsoliduar këto struktura qysh shekuj më parë, këtejpari ideologjinë e njihnim vetëm përmes filozofisë marksiste-leniniste që është mjet shtypës në duart e borgjezisë. Me fjalë të tjera, diferencat ideologjike do të ndihmonin në rritjen e ofertës politike, përmirësimin e tyre gradual përmes ballafaqimit të ideve dhe konkurrencës në shpalosjen e alternativave. Në mungesë të saj, ndodhi personalizimi i debatit që çon në bjerrje të përfaqësimit politik dhe riprodhimin e elitave të vjetra politike, duke frenuar qarkullimin e tyre.
Shqiptarët, sikundër edhe popuj të tjerë (fjala bie rusët), për fat të keq nuk kanë pasur të bëjnë me demokracinë e mirëfilltë, përplasjen e argumenteve, pjesëmarrjen, artin e të debatuarit dhe arritjen e konsensusit në bazë të argumentit më të mirë. Aq më pak të kenë ndërtuar ndonjëherë shtet të së drejtës, me institucione të forta, të shëndosha dhe të pavarura. Po ashtu nuk kanë arritur të ndërtojnë një sistem të pavarur dhe të balancuar të pushteteve sikundër në modelet e vendeve perëndimore, apo të kenë kultivuar një frymë civile, kulturë politike apo dialog të vazhdueshëm për zgjidhjen e ngërçeve të herëpashershme. Kjo për vetë faktin se kemi kaluar nga feudalizmi në sistem totalitar, të izoluar dhe ku skamja dhe frika kombinoheshin për të prodhuar një homogjenitet të frikshëm ideologjik, drejt një demo-anarkie rrumpallë që vetëm lidhje me demokracinë dhe shtetin e së drejtës nuk ka.
Partitë, veçanërisht ato kryesore që realisht kanë peshë elektorale, kanë kohë që janë kthyer në parti gjuetare (catch-all parties), të cilat me anë të një mish-mashi ideo-polifonik synojnë të maksimizojnë bazën votuese dhe të risin peshën specifike. Nuk do shumë mend, që ato që shpesh identifikohen si shkaqe, të tilla si sistemi klientokratik, nepotik dhe korrupsioni masiv, janë në fakt simptoma, por diagnoza është tjetërkund. Nëse partitë nuk profilizohen ideologjikisht, nëse nuk ka debate ‘me bukë’ për parime, principe, vlera dhe norma që duhen përqafuar, nëse nuk ka debat të brendshëm brenda-partiak, përplasje opinionesh dhe kundërshtish për sa i përket politikave qeverisëse, nuk mund të ketë zhvillime pozitive. Nuk mund të ketë demokraci të projektuar së jashtmi pa pasur fillimisht demokraci të brendshme. Nuk mund të ketë pavarësi institucionale pa pasur liri për të shprehur pikëpamje që vijnë edhe ndesh me qëndrimet e liderëve politikë qeverisës. Dhe nuk mund të largohemi nga sindroma e adhurimit të njëshit, pa kaluar te debati mbi idetë. Dhe natyrisht nuk mund të qeveriset pa ide, principe dhe vlera që përfaqësojnë shumicën e elektoratit në një kohë të caktuar.
Vetëm duke arritur të ndërtojmë mekanizma brendapartiakë të cilat nxisin pjesëmarrjen, demokracinë e brendshme përmes debatit vleror dhe ideor, duke krijuar njëkohësisht edhe fraksionet përkatëse, do të arrijmë në përmirësimin e produktit demokratik. Si vlerë e shtuar do të ishin parti programatike që garojnë me ofertën më të mirë, qoftë në drejtim të modelit të menaxhimit, të hapjes reale me shoqërinë, të përthithjes së vlerave dhe burimeve njerëzore.
E anasjellta është situata aktuale, ku partitë nuk bëjnë verifikime për kandidatët që nxjerrin të cilët janë shpesh me rekorde kriminale. Shpeshherë kjo mund të bëhet me vetëdije pasi kandidatë të tillë, të ashtuquajtur “të fortë” janë makineri elektorale për shkak të financave të tyre okulte dhe “xhepave të thellë”, aftësisë për të blerë apo tjetërsuar votë, ndikimit të tyre në strukturat shtetërore etj. Lidhja me këta individë penalizon jo vetëm cilësinë e përfaqësimit dhe demokracinë, por bën që vetë lidershipi i partive politike në Shqipëri të jetë peng i këtyre individëve të cilët kërkojnë rentën në këmbim të mbështetjes, duke krijuar lidhje të forta klienteliste. Këto të fundit kanë efekt shkatërrues mbi kulturën e llogaridhënies dhe vonojnë procesin e konsolidimit demokratik. Për rrjedhojë “demokracia nuk është e vetmja lojë në qytet” dhe ata që vuajnë cilësinë e përfaqësimit janë vetë qytetarët.
Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA.
Përmbajtja është përgjegjësi vetëm e autorit dhe e Institutit të Studimeve Politike.