Roli i parlamenteve në Procesin e Berlinit (PB) dhe integrimi më i gjerë i vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) në Bashkimin Evropian është një aspekt që është vendimtar për zhvillimin e rajonit. Parlamentet janë institucioni kryesor që përfaqëson zërin e qytetarëve dhe duhet të punojnë gjithmonë për të mirën e atyre që i kanë zgjedhur. Zhvillimi rajonal do të përmirësonte jetën e qytetarëve në aspektin ekonomik, social dhe politik. Megjithatë, roli i Parlamentit është shpesh në nivel kombëtar dhe për këtë arsye ky rol është vetëm pjesërisht i pranishëm në nivel rajonal. Procesi i Berlinit konfirmon se parlamentet rrallë përfshihen plotësisht në iniciativat rajonale.
Përfshirja e parlamenteve në kuadrin institucional të Procesit të Berlinit do të sjellë vlerë shtesë dhe do të forcojë rolin e parlamentit në procesin e integrimit në BE, në secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Projekti synon të forcojë kapacitetet e deputetëve dhe të punësuarve në parlament në mënyrë që të ushtrojnë rolin legjislativ dhe mbikëqyrës në lidhje me detyrimet e ndërmarra nën patronazhin e Procesit të Berlinit.
Sa i përket objektivave të këtij projekti, sondazhi i shkurtër synon të identifikojë nevojat e deputetëve dhe shërbimit parlamentar në drejtim të përfshirjes së tyre thelbësore në Procesin e Berlinit dhe në promovimin e bashkëpunimit rajonal. Pyetësori u shpërnda dhe u përgjigjën deputetët dhe stafi i parlamentit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në periudhën nga 1 nëntori 2023 deri më 31 dhjetor 2023. Në sondazh u përfshinë gjithsej 103 të anketuar.
Gjetjet
Pyetësori është i ndarë në dy pjesë, pjesa e para ka të bëjë me njohuritë e përgjithshme të deputetëve dhe stafit parlamentar në lidhje me Procesin e Berlinit, ndërsa e dyta shqyrton perceptimin e tyre për rolin dhe kapacitetet që janë të nevojshme për të përfshirë parlamentet në Procesin e Berlinit. Të kuptuarit e Procesit të Berlinit nga këndvështrimi i parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor Analiza fillon me perceptimet e përgjithshme të të anketuarve në lidhje me Procesin e Berlinit. Ky seksion trajton të kuptuarit e tyre në lidhje me atë se çfarë është Procesi, cilat janë sukseset dhe dështimet dhe objektivat kryesore.
Rezultatet tregojnë një njohje shumë të madhe me Procesin e Berlinit. Pothuajse të gjithë të anketuarit (93%) iu përgjigjën pozitivisht pyetjes. Këto rezultate përkojnë me sondazhin e vitit 2020 të kryer nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (KBR), i cili konfirmon se ka një njohuri të mirë të procesit midis parlamentarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pikat kryesore
• Pothuajse të gjithë të anketuarit (93%) janë të njohur me Procesin e Berlinit, i cili sugjeron që ndërgjegjësimi midis deputetëve në vendet e Ballkanit Perëndimor është në një nivel të përshtatshëm.
• Megjithatë, ndërsa shumica e kupton konceptin më të gjerë të bashkëpunimit rajonal, ekziston një mangësi e dukshme në drejtim të një njohjeje të detajuar të detyrimeve specifike në suazat e Procesit të Berlinit.
• Pavarësisht dyshimeve që lindën në lidhje me nevojën për një iniciativë tjetër rajonale, një shumicë e konsiderueshme (69%) beson se Procesi i Berlinit është i suksesshëm.
• Ndërsa shumica e të anketuarve besojnë se parlamentet kanë një rol të rëndësishëm në Procesin e Berlinit (77%), ata janë kryesisht të pakënaqur me rolin e tyre aktual (64%), duke theksuar nevojën për njohje formale dhe përfshirje më të madhe.
• Shumica e të anketuarve (81%) besojnë se parlamentet duhet të monitorojnë zbatimin e detyrimeve, gjë që tregon një prirje për mbikëqyrje më të madhe.
• Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Agjenda e Gjelbër janë identifikuar si temat më të rëndësishme për marrjen e informacioneve plotësuese.
Përfundim
Përfshirja e deputetëve dhe stafit në parlament në Procesin e Berlinit është thelbësore për të siguruar mbikëqyrje demokratike, transparencë dhe llogaridhënie në zbatimin e angazhimeve të shteteve ndaj kësaj iniciative. Deputetët kanë një rol jetik në përfaqësimin e interesave të zgjedhësve të tyre dhe në mundësimin që politikat dhe vendimet e marra në kuadër të Procesit të Berlinit të pranohen nga qytetarët. Hulumtimi tregon se parlamentet janë të gatshme të përfshihen zyrtarisht në Procesin e Berlinit dhe duhet të merren parasysh vullneti dhe kapacitetet e tyre. Rezultatet e hulumtimit gjithashtu tregojnë se, nga njëra anë, ka njohuri të shkëlqyera në lidhje me Procesin dhe fushat që ai mbulon dhe për këtë arsye konsiderohet si një iniciativë relevante dhe e suksesshme. Megjithatë, nga ana tjetër, parlamentet nuk janë të kënaqur me rolin e tyre në proces dhe kanë mendime të ndara nëse kapacitetet aktuale janë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur angazhimit zyrtar në Proces. Gatishmëria e parlamenteve për t’u përfshirë në Procesin e Berlinit duhet të kanalizohet në instrumente formale, por ky proces duhet të plotësohet nga rritja e kapaciteteve dhe rritja e ekspertizës për parlamentet në fushat e përfshira me Procesin e Berlinit.
Pyetesori i plote me analize dhe gjetje mund te lexohet ketu: