Tradita e zgjedhjeve për kryetar në PD? I kemi pasur të gjitha praktikat: fillimisht me zgjedhje konkurruese (votim të fshehtë e garë të fortë), më pas me zgjedhje fiktive (votim të fshehtë por kandidatë gjysmë të emëruar), zgjedhje të përkohshme (1991, 1995 dhe 1997 me drejtim kolegjial apo të përkohshëm deri në garën për kryetar); zgjedhje formale (pa kandidatë rivalë) dhe më 2013, diçka e mesme, zgjedhje me konkurrencë, votim në anëtarësi, por me fitues të paracaktuar). Cili është modeli për 2017? Janë 27 vjet përvojë që duhet të imponojnë 27 minuta reflektim: në politikë ka votime ose ka zgjedhje, në të parat votohet, në të dytat zgjidhet; në të parat asgjë nuk ndryshon, në të dytat shumë gjëra mund të ndryshojnë, edhe nëse produkti nominal final është i njëjtë me votimin.
Përse bëjnë zgjedhje partitë? Sepse i detyron ligji i partive politike, i detyron Kushtetuta (neni 9), i detyron Statuti i partive dhe i detyron parimi se një parti, nëse nuk është demokratike nga brenda për anëtarët nuk mund të jetë demokratike nga jashtë, për shtetin e shoqërinë. Zgjedhjet u shërbejnë partive të reformohen, të përmirësohen, të gjallërohen, të debatojnë, të konkurrojnë, të krijojnë besim brenda vetes për të synuar më pas krijimin e besimit tek votuesit potencialë jashtë tyre. Duken sllogane? Jo, janë standardi minimal në një demokraci, sado e brishtë qoftë ajo.
Cili mund të jetë opsioni më i mirë? Natyrisht, opsioni ideal mbetet një dhe vetëm një: garë e hapur, analizë dhe debat alternativash, mandat për fituesin dhe respekt e gjithë-përfshirje për sfidantët. Ka modele të tjera të ndryshme në përvoja të ndryshme partiake. P.sh, në disa parti anëtare të EPP mund ti jepet kompetenca një komisioni të “urtësh” (ish kryetar, ish presidentë, ish kryeministra, ish kryetar parlamenti) të partisë për të miratuar praktikat zgjedhore dhe drejtuar procesin.
Në rastin konkret ky opsion merret me rezervë në PD edhe për shkak se pjesa më e madhe e “ish”-ve janë përjashtuar, janë ndarë nga jeta apo shihen si kritikë. Ka model sipas të cilit krijohet një periudhë 5-6 mujore analize dhe reflektimi, (model i ndjekur në PD në njëfarë mënyre edhe më 1991, 1995 e 1997), ka model sipas të cilit anëtarësia pyetet me referendum sesi do të donte të zgjidhej ekipi i ri drejtues, ka model sipas të cilit EPP ftohet të organizojë zgjedhje me standardet e EPP, siç ka model sipas të cilit ofrohet një platformë politike konsensuale midis grupeve/kandidatëve dhe mbi bazën e saj, ri-formatohet partia dhe ekipi i ri drejtues, – siç ka edhe model sipas të cilit grupi i vjetër dhe i ri parlamentar mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm partiak dhe vendos për të ardhmen e partisë.
Me siguri zërat militantë dhe ndjekës të verbër pas emrave të veçantë nuk i marrin seriozisht modele e përvoja të tilla, por ia vlen të theksohet, se ato janë aplikuar në kohë të ndryshme edhe nga CDU e Merkel, konservatorët e Kameron, republikanët e Sarkozi, demokristianët e Butilione, popullorët austriakë, deri tek neokonservatorët e Kazinckit apo Orban.
Thjesht, merrni modelet, diskutojini, zgjidhni një dhe respektoni parimin mbi të cilat janë aplikuar në këto vende. Modeli kërkon vizion e lidership, aftësi për të parë me sytë e të nesërmes jo të sotmes, kurajë për të menduar më shumë për vendin sesa veten, sens përgjegjësie për të mbajtur premtimet për standarde më të larta demokracie funksionale, të thënë e stërthëna në mitingje, TV e rrjete sociale. Zgjedhja e një emri që merr rrogën në PD dhe bën njëherë në katër vjet listat e deputetëve nuk ka asnjë vlerë dhe dobi për vendin nëse opozita nuk shndërrohet në alternativë, në institucion funksional dhe në mekanizëm serioz përfaqësues të qytetarëve dhe vlerave konservatore e liberale të papërfaqësuara. Natyrisht, përpos tyre, do të duhet një status i ri, një regjistër i ri i anëtarësisë, një hapje e garës në të gjitha degët dhe nivelet partiake dhe së fundi, një katarsis programor e identitar.
Zgjidhjet e imponuara, përjashtuese, konfliktuale, mund të çojnë më e pakta në formalitet gare dhe formalitet opozitar, dhe më e shumta në një ndarje të re politike me pasoja afatgjata për opozitën dhe pjesën e papërfaqësuar qytetare. Mesazhi i 200 mijë votave protestuese duhet lexuar, kuptuar dhe përkthyer, pasi raportet aktuale midis të majtës e të djathtës në Shqipëri janë 65% me 35%, – hendeku më i thellë në 27 vjet.
Mund të ketë edhe opsione të tjera, por ky është dhe mbetet opsioni më optimal nëse PD-së së sotme i ka mbetur sadopak identitet e vlerë nga PD e kohës kur shihej si shpresa e vetme e ndryshimit dhe progresit në vend.
A.K.