Jetësimi i një procesi transparent, funksional dhe me integritet për mbikëqyrjen parlamentare ndaj institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj që raportojnë në Kuvend, është prioritet dhe sfidë thelbësore për Shqipërinë në procesin e bisedimeve për Kapitullin e Parë, Cluster One.
Gjatë raportimeve vjetore të vitit 2024 dhe tryezave të punës me institucionet e pavarura, Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka konstatuar se:
- Ligj nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj” dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese 19/2007, kanë krijuar dy modele trajtimi buxhetor dhe për strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj.
- Institucionet e pavarura kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, kanë dallime në formë,përbërje, fokus dhe funksionim, elementë që duhen marrë në konsideratë në procesin raportues dhe zgjedhor të Kuvendit.
- Kritikat lidhur me procedurat, standardet dhe mënyrat e raportimit dhe koordinimit institucional mbi rekomandimet, vijnë edhe nga mungesa e një legjislacioni solid, bashkëkohor dhe funksional të Kuvendit.
- Kërkesat e institucioneve të pavarura të krijuara me ligj, sidomos në drejtim të aspektit financiar dhe të organikës, krijojnë pengesa dhe passjellin cenim të pavarësisë së tyre.
- Vonesat dhe shqetësimet lidhur me zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve me burim Kuvendin, apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rastet e organeve kolektive, duhet të jenë pjesë e procesit të konsultimeve për përmirësime në legjislacion.
- Kuvendi dhe institucionet e pavarura duhet dhe mund të ofrojnë të dhëna statistikore periodike dhe një sistem informimi publik më efektiv lidhur me bilancin e punës dhe përmbushjen e detyrimeve nga rezoluta, vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese apo sistemit gjyqësor, si dhe parashikimeve nga bisedimet e Cluster One dhe Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike.
Ky factsheet është përgatitur në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë. Informacioni dhe pikëpamjet e shprehura në këtë factsheet janë ato të ISP-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionin zyrtar të WFD-së, financuesve të saj apo Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. As WFD dhe as ndonjë person që vepron në emër të saj, nuk mund të mbahet përgjegjës për përdorimin që mund t’i jetë bërë informacionit që ai përmban.