Zgjedhjet duhet të jenë zgjidhje. Ato jetësohen përmes konkurrimit të alternativave, garës cilësore midis kandidatëve, debatit mbi programet dhe vizionin politik mbi aktualitetin, sfidat dhe të ardhmen e vendit, duke iu dhënë prioritet shqetësimeve kryesore për qytetarët. Përmes debatit, konkurrimit, përfshirjes dhe vendimmarrjes zgjedhjet janë parakusht për demokraci funksionale dhe jetësim cilësor të qeverisjes.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) po monitoron standardet e partive politike dhe të procesit zgjedhor 2025, ku përfshihet edhe retorika elektorale/programet elektorale.
Elementë pozitivë të lidhur me integritetin e debatit elektoral:
- Në dallim nga 2021 ka më shumë debate programore;
- Disa parti kanë hartuar dhe miratuar programe politike;
- Disa parti kanë iniciuar debate publike programore;
- Disa kandidatë kanë hartuar programe lokale elektorale;
- Disa kandidatë kanë promovuar zgjidhje të problematikave;
- Të gjitha partitë kryesore adresojnë premtime/zgjidhje;
- Të gjitha partitë apelojnë për pjesëmarrje masive në votim;
- Të gjitha partitë premtojnë shërbim cilësor ndaj qytetarëve;
- Të gjitha partitë njësohen në fokusin e integrimit në BE.
Elementë kritikë lidhur me integritetin e debatit elektoral:
- Retorika personalizuese/denigruese dominon në fushatë;
- Retorika e liderëve politikë lë në hije atë të kandidatëve;
- Retorika bardh e zi pamundëson debatin/qasjen konstruktive;
- Fushata brenda e jashtë vendit krijon mbivendosje programi;
- Nuk ka vullnet për debat televiziv midis partive/kandidatëve;
- Nuk ka përputhshmëri mes programeve e burimeve financiare;
- Nuk ka transparencë dhe llogaridhënie para zgjedhësve;
- Partitë me natyrë klienteliste rriskojnë integritetin e votimit;
- Mungon presioni publik për programe/bilanc premtimesh.
Ky factsheet është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.