Ligji zgjedhor dhe reforma elektorale kanë qenë pjesë e diskursit kushtetues dhe kanë luajtur një rol kyç në diskutimet politike vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, vlen të përmendim se ligji zgjedhor ka qenë pjesë e shqyrtimit nga GJK pothuaj tre herë në dy vitet e fundit. Por, në ndryshim nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 28, datë 30.6.2021 dhe nr. 31, datë 4.10.2021, vendimi nr.38 datë 9.12.2022 paraqet diferencë në terma të llojit të vendimmarrjes dhe konstatimit të GJK. Kështu, ndërsa në dy vendimet e mëparshme, GJK kishte konstatuar antikushtetueshmërinë e dispozitave konkrete të Kodit Zgjedhor me pasojë shfuqizimin e tyre, në vendimin nr.38 që jemi duke analizuar, GJK konstaton ekzistencën e vakumit ligjor me pasojë në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore ( lexo: e drejta e votës për shtetasit shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Republikës së Shqipërisë”). Ky diskutim do të ofrojë një interpretim të pasojave dhe efekteve që ka sjellë vendimi i GJK nr.38 datë 9.12.2022.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ( GJK) me vendimin nr.38 datë 9.12.2022 disponoi mbi kërkesën e drejtuar nga Shoqata “Diaspora për shoqërinë e lirë” me objekt :
- Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021 dhe
- Deklarimin e urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” të ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Bazuar në kërkesën drejtuar GJK, Shoqata “Diaspora për Shoqërinë e Lirë” pretendonte konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25.04.2021 për shkak të mosveprimit të organeve të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor. Konkretisht, kërkesa bazohej në mosplotësimin e detyrimeve të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si rezultat i ndryshimeve të miratuara me ligjin nr. 101/2020, datë 23.07.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Në vendimin e saj, GJK nënvizon rëndësinë e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht vendndodhjes apo statusit që ata kanë ndërsa thekson se: “…E drejta e votës, konkretisht e drejta për të zgjedhur, është një nga të drejtat themelore politike që gëzon individi. Kontributi kryesor i saj është garantimi i mundësisë për të gjithë zgjedhësit, pa bërë dallime mbi baza shtresash ose përkatësie në grupe të caktuara shoqërore, ose mbi baza të tjera që të ndikojnë në formimin e vullnetit politik në një shoqëri demokratike. Nga ushtrimi i së drejtës së votës nuk duhet përjashtuar asnjë pjesë sado e vogël e popullsisë, përveç rasteve të përcaktuara në ligjin themeltar të shtetit”. Po, kështu lidhur me garantimin de facto të së drejtës së votës, GJK vlerëson se : “…Garantimi i së drejtës së votës nga Kushtetuta nënkupton se është detyra e ligjvënësit ta materializojë dhe specifikojë këtë të drejtë në ligje përkatëse. Këto të fundit duhet të sigurojnë që e drejta e votës të ushtrohet në mënyrë efektive dhe jo të kufizohet.”
Nisur nga fakti se Kuadri ligjor shqiptar (Kodi Zgjedhor i ndryshuar) krijoi bazën juridike për të mundësuar në praktikë garantimin e të drejtës së votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, GJK e ka bazuar analizën e saj në këtë vendim në verifikimin nëse kuadri ligjor është në përputhje me parimet dhe standardet kushtetuese për të siguruar zbatimin efektiv të kësaj të drejte dhe nëse parashikimet ligjore në mënyrën se si janë hartuar arrijnë të garantojnë në thelb ushtrimin efektiv të kësaj të drejte kushtetuese.
Nga analiza e Nenit 24 të KZGJ të ndryshuar, Gjykata vëren se në këtë dispozitë nuk përcaktohet afat brenda të cilit Rregullatori do të duhej të miratonte rregullat për regjistrimin e votuesve nga jashtë vendit, për procedurat e tyre të votimit, për administrimin dhe numërimin e votave nga jashtë vendit dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve për Kuvendin. Po kështu, në këtë dispozitë nuk përcaktohet afat brenda të cilit Rregullatori do të duhej të miratonte zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë vendit, sikundër në asnjë dispozitë të ligjit nuk përcaktohet afat për plotësimin e masave tekniko-organizative nga Komisioneri. Ndërsa në dispozitat e fundit dhe kalimtare të Kodit Zgjedhor, pikërisht në nenin 184 të tij, ligjvënësi ka parashikuar se ngarkohet KQZ-ja të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij. Ndërkohë, Komisioni Rregullator, sipas ligjit nr. 101/2020, është ngritur dhe ka filluar funksionimin pas datës 07.10.2020, me zgjedhjen e anëtarëve të tij nga Kuvendi.
Bazuar në vlerësimet si më sipër, Gjykata konstaton se Kodi Zgjedhor, megjithëse krijoi pritshmëri të ligjshme për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit se do të ushtronin të drejtën e votës në zgjedhjet për Kuvendin, në fakt nuk ka parashikime të qarta lidhur me kohën kur organi i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve duhet të mundësojë votimin nga jashtë vendit për këtë kategori zgjedhësish. Formulimi i nenit 184 të Kodit Zgjedhor sipas Gjykatës, nuk plotëson kërkesat e nenit 118 të Kushtetutës, i cili përcakton se aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë dhe se ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.
Në këtë kuptim, pavarësisht faktit se Gjykata pranon se ligjvënësi shqiptar ka zgjedhur të pranojë në ligj të drejtën për të votuar të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet për Kuvendin, paqartësia e normave të Kodit Zgjedhor në drejtim të afatit, organit kompetent dhe parimeve në bazë të të cilave duhet të nxirren aktet nënligjore për këtë çështje jo vetëm cenon parimin e sigurisë juridike, por në fakt përbën boshllëk ligjor, që cenon të drejtën kushtetuese të votës.
Bazuar në këtë argument, GJK duke vlerësuar se e drejta kushtetuese e votës së shtetasve shqiptarë me banim jashtë territorit të RSH është cënuar për shkak të boshllëkut ligjor si rezultat i mangësive të Kodit Zgjedhor ka vendosur përmes këtij vendimi :
- Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
- Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti.
Dokumenti është pjesë e angazhimit të Institutit të Studimeve Politike (ISP) në kuadër të projektit “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe po jetësohet nga një grupim organizatash ku bën pjesë ISP, nën drejtimin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), në partneritet me Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Shkencës. Objektivi i projektit është të mbështesë negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE lidhur me Grupin e Parë të Kapitujve Negociues (Cluster 1), përmes përmirësimit të debatit të politikave, forcimit të llogaridhënies dhe rolit të OSHC-ve në proces.
Raporti i plotë mund të lexohet & shkarkohet këtu:
ISP – Vendimi 38-2022 i GJK -modele referuese dhe impakti ligjor