Kuvendi po punon përmes komisionit të posacëm për një ligj të ri mbi financimet politike dhe paralelisht edhe për rishikimin e legjislacionit mbi partitë politike dhe Kodin Zgjedhor. Komisioni është zgjedhur me konsensus dhe afatet 9 mujore të tij mundësojnë kohë të mjaftueshme për të pasur gjithëpërfshirje, transparencë dhe produkt konkret, ndryshe nga përvojat e dy legjislaturave të fundit. Instituti i Studimeve Politike (ISP) është angazhuar në trajtimin e cështjeve që kanë të bëjnë me legjislacionin mbi partitë politike (funksionaliteti, legaliteti, organizimi, demokracia e brendshme, llogaridhënia, financimi dhe qasjet antikorrupsion) dhe legjislacionin zgjedhor (rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe rekomandime të tjera).
Emisioni “Bisedë në studio” në Blu TV (Vlorë) i drejtuar nga Adriatik Golemi zhvilloi një debat lidhur me reformën në legjislacionin për partitë politike, me pjesëmarrjen e politikanëve/anëtarë të këshillit bashkiak Vlorë, Atird Hoxha dhe Gjergji Nika, si dhe eksperti Ardi Stefa, i angazhuar edhe në aktivitetet e ISP lidhur me këtë tematikë.
Më poshtë gjenden linku i debatit.
Ky debat bëhet në kuadër të projektit “Përmirësimi i kuadrit ligjor për partitë politike përmes Ligjit për Partitë Politike dhe/ose Kodit Zgjedhor”, i cili realizohet nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.



