Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është e drejtë kushtetuese, por edhe element thelbësor për integritetin dhe efektivitetin e tyre. Zgjedhësit duhet të kenë informacion të plotë mbi sistemin zgjedhor, mënyrën e votimit dhe qendrat e votimit. Kodi Zgjedhor, neni 52, ngarkon kryetarët e njësive vendore, që brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve, të kryejnë lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrave të votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore.
Ky afat ligjor është kaluar dhe 40 ditë përpara zgjedhjeve dhe sipas të dhënave të ISP ende qytetarët nuk janë njoftuar nga njësitë vendore, sipas përcaktimit ligjor. Kodi detyron kryetarët e bashkive që të paktën një herë në javë, si dhe sa herë i kërkohet nga KQZ-ja të raportojnë për zbatimin e kësaj përgjegjësie. Mungesa apo refuzimi i raportimit passjell gjobë si masë administrative nga KQZ.
ISP apelon KQZ të ushtrojë kontroll mbi njësitë vendore për respektimin e dispozitës së nenit 52 dhe të kërkojë prej tyre një rol më aktiv në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga Kodi Zgjedhor. Zgjedhjet bëhen me qytetarët dhe për qytetarët. Informimi dhe përfshirja e tyre është standard dhe përgjegjësi.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë.