Bashkitë e krijuara me ndarjen e re administrative ndodhen në fazën e përmbylljes së bilancit të mandatit të parë ligjor. Në funksionet e tyre bazë janë kompetenca të reja dhe përgjegjësi që kërkojnë nivel më të lartë transparence, përfaqësimi dhe llogaridhënie. Bazuar në këto parametra, Instituti i Studimeve Politike me mbështetjen e Lëviz Albania po realizon projektin “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia”, ku një komponent i rëndësishëm i saj është edhe debati me institucionet vendore dhe grupet e interesit, komuniteti lokal, media dhe ekspertët e qeverisjes vendore.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Lëviz Albania (LA) po kryen hulumtime në nivele të ndryshme të aktivitetit të këshillave bashkiakë dhe të bashkive të qarkut Tiranë (Tiranë, Kavajë, Kamëz, Vorë e Rrogozhinë). Projekti ka në fokus edhe matjen e detajuar të efektivitetit të secilit nga këshilltarët (ata me mandat të plotë ose të pjesshëm) në secilën bashki, ku pjesë e rëndësishme e vlerësimit bëjnë pjesë të gjitha aktivitetet e këshilltarëve, – nismat, debatet, përfaqësimi, roli, aktet publike, angazhimi në media, takimet me qytetarët, llogaridhënia, transparenca, konflikti i interesit, etj.
Në funksion të këtij qëllimi, ISP zhvilloi takimin e radhës në bashkinë Vorë, një bashki me shtrirje të gjerë dhe me përvojë të gjatë drejtimi nga i njëjti kryetar bashkie. Në këtë takim ekspertët e ISP , këshilltarë bashkiakë, përfaqësues nga administrata dhe njësitë administrative, nga komuniteti lokal, grupe interesi, etj, diskutuan mbi problematikat specifike të qeverisjes vendore në Vorë lidhur me komponentët e transparencës, konsultimit publik dhe pjesëmarrjes qytetare, si dhe për përmbushjen nga bashkia të dy kompetencave të saj lidhur me rrugët rurale dhe shërbimin e pastrimit.